Kallas: Europa të mos bjerë në kurthet e Rusisë në negociatat për Ukrainën

Europë | 6 minuta më parë

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar se vendet europiane nuk duhet të pranojnë rendin e negociatave të propozuar nga Rusia për përfundimin e luftës në Ukrainë, pasi sipas saj kjo do t’i jepte Moskës mundësinë të shmangte përgjegjësinë për mungesën e armëpushimit dhe të impononte kërkesat e saj në tryezën e bisedimeve.

Në deklaratat e saj, Kallas theksoi se Bashkimi Europian duhet të qëndrojë i vendosur në parimin se fillimisht duhet të arrihet armëpushimi, më pas marrëveshja e paqes dhe vetëm pas kësaj të diskutohen çështje të tjera që lidhen me sigurinë dhe arkitekturën e re europiane.

“Më e rëndësishmja është që t’i përmbahemi marrëveshjes sonë që së pari armëpushimi, pastaj marrëveshja e paqes dhe më pas çdo lloj bisede tjetër. Rusia vazhdon të paraqesë kërkesat e saj maksimale, ndaj edhe ne duhet të mbetemi të qëndrueshëm në pozicionet tona”, u shpreh Kallas.

Sipas saj, ekziston rreziku që Europa të bjerë në atë që ajo e cilësoi si “kurthe diplomatike” të ngritura nga Moska, të cilat synojnë të largojnë vëmendjen nga agresioni rus kundër Ukrainës.

“Rusia po përpiqet të largojë vëmendjen nga fakti që nuk ka armëpushim dhe të na bëjë të dëgjojmë pretendimet e saj. Nëse fillojmë të diskutojmë arkitekturën europiane të sigurisë sipas kushteve të tyre, atëherë nuk do të jemi në një pozicion më të mirë, por në një pozicion më të keq”, tha ajo.

Kryediplomatja europiane këmbënguli se fokusi duhet të mbetet tek lufta e nisur nga Rusia dhe tek mbështetja për Ukrainën.

“Kemi një agresor dhe një viktimë. Agresori nuk ka shqetësime për sigurinë e tij, sepse askush nuk e ka sulmuar ndonjëherë. Ata janë ata që kanë sulmuar të tjerët. Duhet të ruajmë fokusin te ky realitet”, deklaroi Kallas.

Ajo përshëndeti gjithashtu pranimin nga ana e Shteteve të Bashkuara të faktit se çdo marrëveshje e mundshme mes Rusisë dhe Ukrainës kërkon përfshirjen aktive të vendeve europiane.

“Shpresoj që të mos jemi thjesht në tryezën e negociatave, por të kemi ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e tyre”, tha ajo.

Në lidhje me përfaqësimin e Bashkimit Europian në bisedime, Kallas u shpreh e gatshme të jetë pjesë e ekipit negociator, duke argumentuar se posti që mban e ngarkon me përgjegjësinë për të përfaqësuar Europën në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë.

Ajo komentoi edhe kundërshtimin e Rusisë ndaj përfshirjes së saj në proces, duke deklaruar se Moska preferon të ketë përballë negociatorë më pak të fortë.

“Ata nuk duan njerëz të fortë në anën tjetër, sepse synojnë të shtyjnë përpara kërkesat e tyre maksimale. Taktika e tyre ka qenë gjithmonë e njëjta: paraqesin kërcënime dhe ultimatume, përdorin forcën dhe më pas presin që dikush në Perëndim t’u ofrojë lëshime që më parë nuk i kishin”, tha Kallas.

Sipas saj, Bashkimi Europian duhet të ruajë unitetin dhe të mos lejojë që Rusia të diktojë kushtet apo rendin e negociatave për paqen në Ukrainë, duke mbajtur fokusin tek armëpushimi dhe respektimi i sovranitetit ukrainas.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme