Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, të shmangë çdo vendim apo hap të papritur gjatë takimit të planifikuar javën e ardhshme në Kinë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Në një deklaratë për mediat, Merz përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë për administratën amerikane, duke kërkuar koordinim të ngushtë me aleatët evropianë dhe vijimin e mbështetjes për Ukrainën.
“Dua ta përsëris shumë qartë mesazhin tonë drejtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ju lutemi, pa surpriza. Qëndroni në krah të Evropës dhe Ukrainës dhe të punojmë së bashku për një paqe të vërtetë në Ukrainë”, deklaroi kancelari gjerman.
Apeli i Merz vjen në një kohë kur vendet evropiane po përpiqen të ruajnë një qëndrim të përbashkët me Uashingtonin përballë negociatave dhe përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Kreu i qeverisë gjermane vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit transatlantik, duke nënvizuar se çdo përpjekje për arritjen e paqes duhet të mbështetet në koordinimin mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë, si dhe në respektimin e interesave të Kievit.
Takimi i paralajmëruar mes Trumpit dhe Putinit në Kinë pritet të ndiqet me vëmendje nga kryeqytetet evropiane, të cilat kërkojnë që vendimet për të ardhmen e Ukrainës të mos merren pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të saj.
Merz u ndal edhe te çështja e sigurisë evropiane, duke kundërshtuar idenë e diskutimit me Moskën për krijimin e një arkitekture të re sigurie në Evropë.
“Nuk ka nevojë për të diskutuar një arkitekturë të re evropiane të sigurisë me Moskën, sepse ajo tashmë ekziston”, theksoi kancelari gjerman.

