Gashi: Të gjitha problemet mund të zgjidhen me dialog të hapur dhe koordinim

"Nuk ka problem që nuk mund të zgjidhet dhe askush nuk dëshiron të krijojë precedentë, por dëshirojmë që së bashku të ecim drejt zgjidhjes së problemeve eventuale apo objektive që lindin nga interpretimi i neneve të caktuara të Rregullores së Punës. Përmes dialogut të hapur dhe koordinimit të hënën, të gjithë së bashku mund të arrijmë deri te një zgjidhje e tillë", theksoi sot kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në përgjigje të vërejtjeve procedurale të deputetëve të opozitës lidhur me seancën e 130-të, në të cilën dje duhej të parashtroheshin pyetjet e deputetëve.
Ai sot vazhdoi me seancën e 129-të, në rendin e ditës të së cilës janë disa pika që nuk janë shqyrtuar, por debati nuk filloi për shkak të vërejtjeve procedurale të deputetëve të opozitës. Ai dha një pauzë prej 30 minutash për koordinim me grupet parlamentare.
Sipas tij, në rastet kur ekzistojnë interpretime të ndryshme për disa nene të Rregullores së Punës, të cilat nuk janë përcaktuar plotësisht dhe ndodh ndonjë keqkuptim, mënyra më e mirë është që kjo të zgjidhet përmes një marrëveshjeje të përbashkët.
"Për këtë arsye dje e ndërpreva seancën dhe ju ftova në koordinim. Ju nuk erdhët. Shpresoj që të hënën të vini të gjithë koordinatorët dhe të bisedojmë për këtë temë. Jam i bindur se mund të gjejmë zgjidhje. Nuk ka problem që nuk mund të zgjidhet. Prandaj mendoj se të gjitha mundësitë janë të hapura për të vazhduar me këtë seancë", theksoi Gashi.
Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, deputeti Oliver Spasovski, konsideron se është krijuar një precedent me të cilin nuk u mbajtën pyetjet e deputetëve të opozitës, por edhe një precedent lidhur me të drejtën e grupeve parlamentare për të kërkuar vërejtje procedurale ose pauzë, ndërsa kjo kohë të llogaritet si pjesë e kohës së paraparë për pyetjet e deputetëve të opozitës.
"Mendoj se kjo është shkelje e plotë e Rregullores së Punës dhe e gjithçkaje që është vendosur si praktikë në Kuvend", theksoi Spasovski, duke kërkuar ndërprerjen e seancës së 129-të dhe që të hënën, në mbledhjen e koordinimit, të arrihet marrëveshje për mbajtjen e seancës për pyetjet e deputetëve të opozitës.
Deputetët e BDI-së dhe të Aleancës për Shqiptarët reaguan proceduralisht që në kuadër të seancës së 129-të fillimisht të shqyrtohet pika 6, në të cilën është propozuar ligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë dhe për zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta për kontroll kufitar.
Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, i bëri vërejtje kryetarit të Kuvendit, Gashit, për anashkalimin e kësaj pike dhe kalimin te pika 12, në të cilën parashihet shqyrtimi i ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimet Publike.





































