k mund të jenë të lira dhe të ndershme për sa kohë pushteti shtetëror përdoret për t’i krijuar avantazhe partisë në pushtet dhe për të intimiduar zgjedhësit.
“Partia duhet të konkurrojë me burimet e veta, ndërkohë që shteti duhet të qeveriset me burimet e shtetit”, u shpreh Bylykbashi, duke theksuar se ndarja e shtetit nga partia duhet të garantohet gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm gjatë fushatave zgjedhore.
Paketa e propozuar nga opozita ndërhyn në tetë fusha, mes të cilave administrata publike, buxheti, prokurimet, patronazhimi, të dhënat personale, aktivitetet zyrtare dhe propaganda institucionale. Ajo përmban më shumë se 45 nene dhe parashikon sanksione administrative e penale, humbje të mandatit dhe pavlefshmëri të zgjedhjeve në rastet e shkeljeve të rënda.
Pas prezantimit të propozimeve, kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se kushti kryesor për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është largimi i Edi Ramës. Ai gjithashtu u bëri thirrje të gjitha forcave opozitare të bashkohen në procesin e reformës zgjedhore.
FJALA E PLOTE/ Prezantimi i paketës së përgjithshme për reformën zgjedhore
Në vijim të prezantimit të paketës së përgjithshme për reformën zgjedhore, të cilën e kemi përgatitur së bashku me kolegët e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe që u prezantua nga kryetari i partisë, dëshiroj të ndalem te çështjet kardinale, të cilat, sigurisht, kërkojnë diskutim, debat dhe dakordësi edhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Bëhet fjalë për çështje madhore, të cilat çojnë edhe në ndryshime kushtetuese, siç është rasti i ndryshimit të sistemit zgjedhor. Megjithatë, këto janë çështje të domosdoshme dhe të kërkuara prej nesh prej disa vitesh. Nuk bëhet fjalë për kërkesa të reja, por për propozime që tashmë janë edhe të formalizuara.
Do të doja t’ju prezantoja edhe atë që kryetari i partisë theksoi në mënyrë të veçantë si problemin kryesor që konstatohet në zgjedhje, edhe sipas raportit të OSBE/ODIHR-it: prishjen e ndarjes midis shtetit dhe partisë. Pra, prishjen e fushës së barabartë të konkurrimit dhe përfitimin nga avantazhi që krijon përdorimi i pushtetit publik dhe shtetëror nga partia në pushtet.
Në praktikë, ky pushtet përdoret jo vetëm për të krijuar avantazhe për partinë në pushtet, por edhe për të intimiduar zgjedhësit. Për sa kohë që kjo çështje nuk trajtohet dhe zgjidhet në mënyrë të plotë dhe jo të pjesshme, zgjedhjet nuk mund të konsiderohen as të lira dhe as të ndershme. Zgjidhja e saj do të ndikonte jo vetëm në mënyrën se si funksionon sistemi zgjedhor, por edhe në mënyrën se si funksionon i gjithë procesi zgjedhor.
Për këtë arsye, ne kemi përgatitur një paketë të gjerë dhe të plotë, e cila nuk mund të copëtohet apo të gjymtohet, por duhet të trajtohet si një e tërë.
Së pari, koncepti bazë është ndarja e shtetit nga partia. Partia duhet të konkurrojë me burimet e veta, ndërkohë që shteti duhet të qeveriset me burimet e shtetit.
Partia Socialiste, e cila do të mbrohet me thonj e me dhëmbë për të ruajtur këtë avantazh, të cilin jo vetëm e ka shfrytëzuar deri më sot, por e ka kthyer në një sistem dhe në një makineri që shkatërron procesin zgjedhor, mund të pretendojë se shteti nuk mund të pezullohet dhe të ngrijë gjatë fushatës zgjedhore.
Sigurisht që jo. Shteti duhet të funksionojë, por duhet të funksionojë në mënyrë neutrale. Asgjë tjetër që përdoret për të deformuar procesin zgjedhor nuk duhet të lejohet.
Çfarë ndryshon kjo paketë?
Ajo e trajton abuzimin me burimet shtetërore dhe nevojën për ndarjen e shtetit nga partia si çështje që nuk lidhen vetëm me fushatën zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve. Përkundrazi, bëhet fjalë për një periudhë shumë më të gjatë dhe, në fakt, për një parim të përhershëm. Shteti duhet të jetë i ndarë nga partia gjatë gjithë kohës, në përputhje me parimet dhe standardet e OSBE-së dhe të OSBE/ODIHR-it, pa dallim midis periudhës zgjedhore dhe asaj jozgjedhore.
Për rrjedhojë, dispozitat duhet të jenë të tilla që të kenë ndikim gjatë 365 ditëve të vitit. Nuk kemi të bëjmë thjesht me një grup shkeljesh administrative të shkëputura nga njëra-tjetra, por me një sistem të tërë që duhet trajtuar për të garantuar, ndër të tjera, edhe mirëqeverisjen.
Ndarja e shtetit nga partia është gjithashtu e lidhur thelbësisht me kapitujt kryesorë të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Për rrjedhojë, ajo përbën një element thelbësor edhe në këtë proces dhe jo vetëm në procesin zgjedhor.
Duhet të ndalohet i gjithë zinxhiri i përdorimit të pushtetit përmes vendimmarrjes, financimit, administratës, aktivitetit publik, propagandës dhe përfitimit elektoral.
Së dyti, garancitë nuk mund të kufizohen vetëm në ditët e fushatës zyrtare.
E përmenda edhe më herët se këto garanci duhet të fillojnë më parë. OSBE/ODIHR-i rekomandon që ato të hyjnë në fuqi që nga momenti i dekretimit të datës së zgjedhjeve.
Megjithatë, koncepti ynë mbështetet në vlerësimin se situata ka pësuar një përkeqësim dramatik, të ngjashëm me atë që çoi në nevojën për miratimin e ligjit të dekriminalizimit apo të ligjit të vettingut. Pra, kemi të bëjmë me një situatë që kërkon ndërhyrje me masa drastike, por proporcionale, në përputhje me standardet e OSBE-së, të Këshillit të Europës dhe me jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut.
Këto masa do të zbatohen për një periudhë të caktuar kohore. Përveç ndalimeve që do të jenë të përhershme, për një periudhë maksimale deri në 10 vjet do të parashikohet një grup ndalimesh që shkojnë përtej normës së zakonshme. Qëllimi është që situata të rikthehet në normalitet dhe më pas të vijojnë të zbatohen dispozitat përkatëse.
Edhe brenda kësaj periudhe, ndalimet nuk do të zbatohen përgjatë gjithë vitit dhe për të gjithë periudhën 10-vjeçare në të njëjtën mënyrë. Ato do të organizohen në dy module, 5 plus 5 vjet, dhe do të kenë afate të ndryshme zbatimi.
Pra, kemi një përshkallëzim të masave: disa ndalime janë të përhershme, disa hyjnë në fuqi me dekretimin e datës së zgjedhjeve, të tjera me regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe disa të tjera me fillimin e fushatës zgjedhore. Ky përshkallëzim synon pikërisht të garantojë proporcionalitetin në kuadër të masave shumë të ashpra që propozojmë.
Kemi identifikuar tetë fusha kryesore për ndërhyrje. Termi ‘ndarja e shtetit nga partia’ përfshin një koncept kompleks dhe nuk mund të reduktohet në një formulim të vetëm. Këto fusha janë:
1. Administrata publike
Mbrojtja e administratës publike nga presioni politik dhe hierarkik, si dhe garantimi i neutralitetit të saj.
2. Pushteti normativ, fiskal dhe social
Kjo përfshin atë që ne e njohim shumë mirë: miratimin e bonuseve, pensioneve, shtesave të pagave, pagës së 13-të, si dhe fondeve që jepen nëpërmjet prokurimeve publike. Pra, çdo vendimmarrje e shtetit, e realizuar përmes akteve ligjore dhe nënligjore, e cila synon të krijojë deformime gjatë periudhës zgjedhore.
3. Buxheti, prokurimet dhe investimet
Ndalimi i përfitimeve elektorale nga fondet dhe pasuria publike, duke ruajtur njëkohësisht funksionimin normal të ekonomisë.
Kjo paketë nuk synon të ndalojë funksionimin e shtetit dhe të ekonomisë. Çdo tejkalim apo abuzim do të vlerësohet në mënyrë të veçantë dhe do të sanksionohet sipas rastit.
4. Patronazhimi
Ndalimi i rrjeteve që përdorin administratën, punësimin dhe shërbimet publike për të ndikuar në sjelljen politike të qytetarëve.
Ne të gjithë tashmë e dimë se çfarë është sistemi i patronazhimit, sa piramidal dhe i organizuar në çdo hallkë është ai, aq sa rrjetet e patronazhimit kanë arritur të përmenden edhe në dokumentet kryesore të Bashkimit Europian si një faktor negativ në lidhje me zgjedhjet.
Rasti tipik është ‘Prania Besnike’ dhe regjistri i pranisë besnike i Partisë Socialiste. Përpjekja për t’i dhënë legjitimitet kësaj mënyre patronazhimi bëhet nëpërmjet kushtëzimit të aksesit të qytetarëve në shërbimet publike, duke i detyruar ata të paraqiten pranë Partisë Socialiste dhe duke përdorur regjistrin e pranisë besnike si instrument për të kushtëzuar marrjen e këtyre shërbimeve.
Pra, kjo praktikë do të ndalohet dhe do të ndëshkohet ashpër.
5. Kontrolli dhe pushteti shtrëngues
Ndalimi i përdorimit të inspektimeve, kontrolleve dhe masave administrative selektive si instrumente për ushtrimin e presionit elektoral. Edhe këto praktika do të ndalohen.
6. Të dhënat personale të qytetarëve
Kjo fushë përfshin të dhënat që zotëron shteti ose që, në një mënyrë të caktuar, janë nën kontrollin e tij, por edhe ato që subjekte të tjera private arrijnë të kontrollojnë.
Synimi është ndalimi i përdorimit të bazave shtetërore të të dhënave për profilizim politik, targetim dhe kontroll të zgjedhësve.
Sot, përmes mekanizmave tashmë të sofistikuar, kontrolli ka kaluar nga kontrolli i votës te kontrolli i vetë zgjedhësit, te identifikimi i profilit të tij dhe ushtrimi i presionit ndaj tij, si dhe te ofrimi i parave apo shërbimeve në këmbim të votës. E gjithë kjo praktikë do të ndalohet.
7. Funksioni publik dhe aktivitetet zyrtare
Këtu përfshihen praktikat që të gjithë i njohim: ndalimi i inaugurimeve, vizitave dhe inspektimeve, si dhe i përdorimit të autoritetit shtetëror nga kryeministri, ministrat dhe drejtuesit e lartë, pikërisht për të krijuar avantazhe dhe përshtypje të caktuara gjatë fushatës zgjedhore.
8. Propaganda institucionale dhe media
Ndalimi i përdorimit të arritjeve dhe aktiviteteve institucionale, përmes propagandës dhe mediave, në funksion të partisë në pushtet.
Të gjitha këto fusha janë pjesë e një mekanizmi të vetëm. Ato nuk janë të veçuara, por të koordinuara me njëra-tjetrën.
Për këto tetë fusha kemi përgatitur dokumentacion të veçantë. Përveç dokumentit horizontal, pra dokumentit bazë, kemi edhe tetë dokumente të tjera, të cilat detajojnë secilën fushë: arsyen e ndërhyrjes, problemin që synohet të zgjidhet, rekomandimet ndërkombëtare për Shqipërinë dhe shtetet e tjera, standardet ndërkombëtare, jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, zgjidhjet konkrete, si dhe personat apo institucionet përgjegjëse për zbatimin e tyre.
Identifikimi i institucioneve përgjegjëse është shumë i rëndësishëm, si për ata që kanë detyrimin ta zbatojnë të parët ligjin, pra të mos kryejnë veprimet e ndaluara, ashtu edhe për ata që kanë detyrimin t’i parandalojnë apo t’i ndëshkojnë ato.
E gjithë kjo paketë ka prodhuar një paketë ligjore me më shumë se 45 nene, të cilat do të përfshihen në Kodin Zgjedhor, në ligje të tjera dhe në Kodin Penal.
Ekspertët janë duke punuar për përfundimin e kësaj pakete dhe janë tashmë në fazën përmbyllëse. Drafti është i gatshëm dhe do të vihet më pas në diskutim, negocim dhe miratim në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Por, sigurisht, e përsëris: masat gjysmake nuk shërbejnë aspak. Zgjidhja duhet të jetë e plotë, përndryshe nuk funksionon.
Mekanizmi duhet të parashikojë patjetër një ndërhyrje të shpejtë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nuk mund të pritet përfundimi i zgjedhjeve për të ndërhyrë. Duhet të kemi një mekanizëm ndalues, rivendosës dhe sanksionues.
Ndalimi dhe rivendosja e ligjshmërisë duhet të realizohen përpara zgjedhjeve, ndërsa sanksionimi duhet të jetë i tillë që të ketë efekt edhe pas zgjedhjeve. Siç rekomandojnë edhe ekspertët ndërkombëtarë, sanksioni duhet të dhembë.
Për këtë arsye, kemi përgatitur disa lloje ndalimesh dhe sanksionesh.
Së pari, sanksionet administrative.
Personat përgjegjës do të humbasin vendet e punës për shkak të përfshirjes së tyre në skema serioze të përdorimit të burimeve shtetërore. Gjithashtu, do të parashikohen gjoba të rënda. Nuk do të bëhet më fjalë për gjoba simbolike prej 30 mijë lekësh të vjetra, si ajo e vetmja gjobë që vendosi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në zgjedhjet e kaluara.
Së dyti, sanksionet penale.
Do të parashikohen vepra të reja penale, të formuluara në mënyrë të qartë dhe të detajuar, në mënyrë që SPAK-u dhe prokuroria të mos mund të shmangen nga zbatimi i tyre për shkak të paqartësive ligjore.
Kjo lidhet edhe me ligjin e dekriminalizimit, i cili parashikon ndalimin për 20 vjet të ushtrimit të funksioneve publike për këdo që dënohet për një vepër penale zgjedhore.
Së treti, humbja e mandatit.
Një risi e kësaj pakete është humbja e mandatit. Ai që zgjidhet dhe konstatohet se ka përfituar nga përdorimi i burimeve shtetërore humbet mandatin, ashtu siç e humbet edhe subjekti që ai përfaqëson.
Pra, ai që vjedh nuk mund të mbajë atë që ka vjedhur vetëm sepse është ndëshkuar.
Sigurisht, kjo do të shoqërohet me një mekanizëm garancish ligjore dhe kushtetuese, ku Gjykata Kushtetuese do të jetë organi kompetent për shqyrtimin e çështjes dhe marrjen e vendimit përfundimtar.
Së katërti, pavlefshmëria e zgjedhjeve.
Nëse përdorimi i burimeve shtetërore është i një shkalle të tillë që ka ndikuar në të gjithë zonën zgjedhore apo në të gjithë Shqipërinë, atëherë kjo duhet të çojë drejt pavlefshmërisë së zgjedhjeve.
Ky nuk është një koncept i panjohur për legjislacionin tonë, pasi parashikohet edhe në Kodin Zgjedhor në fuqi.
Pra, këta janë elementët kryesorë të paketës, të cilët kanë për qëllim jo të pengojnë qeverisjen normale dhe as të kufizojnë mënyrën e ushtrimit të saj, por të ndalojnë përdorimin e shtetit në zgjedhje. Konkurrimi partiak nuk duhet të bazohet te përdorimi i instrumenteve shtetërore.
E gjithë kjo duhet të realizohet pa vendosur asnjë kufizim të pajustifikuar mbi të drejtat e kandidatëve dhe të zgjedhësve.
Për ta përmbyllur, e gjithë paketa mbështetet në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në dokumentet më të rëndësishme të Komisionit të Venecias dhe në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku një parti konkurron me burimet e saj dhe jo me burimet e shtetit.





