Festivali ndërkombëtar “Mitrovica International Jazz Days” do të rikthehet me edicionin e tij të katërt, i cili do të mbahet më 24, 25 dhe 26 nëntor 2026 në Mitrovicë.

Këtë vit, festivali do t’i kushtohet kreativitetit, talentit dhe kontributit të grave në muzikën jazz, një zhanër që tradicionalisht është dominuar nga burrat.


Programi do të përfshijë tri koncerte ndërkombëtare me performanca të muzikanteve të njohura të jazz-it, si dhe koncertin tradicional “MIJD Big Band & Friends”, i cili synon të festojë trashëgiminë e pasur muzikore të Mitrovicës.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e festivalit do të jetë edhe platforma “Western Balkan Young Jazz Musicians Platform” (WB6), e cila do të sjellë në skenë artistë të rinj dhe talente premtuese nga vende të ndryshme të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Koncertet do të mbahen në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”.

Më 24 nëntor, duke filluar nga ora 19:30, programi hapet me performancën e “Eleonora Strino Trio” nga Italia.

Ndërkaq, më 25 nëntor, publiku do të ketë mundësi të ndjekë dy koncerte: “Anaïs Foux Trio” nga Luksemburgu, në orën 19:30, dhe “Olivia Trummer Trio” nga Gjermania, në orën 21:00.

Festivali do të përmbyllet më 26 nëntor, me koncertin “MIJD Big Band & Friends”, i cili do të nisë në orën 20:30.

Përmes këtij edicioni, “Mitrovica International Jazz Days” synon të promovojë muzikën jazz, të krijojë hapësirë për artistet gra dhe të mbështesë gjeneratat e reja të muzikantëve në rajon.

Për tri ditë, Mitrovica pritet të shndërrohet në një pikëtakim të muzikës jazz, artistëve ndërkombëtarë dhe publikut që vlerëson këtë zhanër muzikor. /Telegrafi/