Macron futet në lojë për ta rrëzuar Infantinon, synon ta vendosë Wengerin në krye të FIFA-s

Sipas raportimeve të mediave britanike, presidenti francez Emmanuel Macron ka ndërmarrë një iniciativë të papritur për ta bindur bashkëkombësin e tij, Arsene Wenger, ish-trajnerin legjendar të Arsenalit, që të kandidojë për president të FIFA-s, në një garë të drejtpërdrejtë kundër kreut aktual të këtij institucioni, Gianni Infantino.
Sipas gazetës gjermane Bild, Macron i ka premtuar mbështetje të plotë Wengerit në rast se vendos të hyjë në garë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të FIFA-s. Madje, ai ka ofruar të mobilizojë edhe krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish për ta mbështetur kandidaturën e francezit, një skenar i pazakontë që mund t'i japë garës për kreun e futbollit botëror edhe dimension politik.
Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit të kandidaturës është 18 nëntori, pra vetëm pak ditë larg, ndërsa vëmendja është përqendruar te vendimi përfundimtar i Wengerit, i cili pritet të bëhet i ditur gjatë kësaj jave.
Zgjedhjet presidenciale të FIFA-s do të mbahen në mars të vitit 2027. Infantino synon një tjetër mandat, por këtë herë mund të përballet me një rival me reputacion të madh në botën e futbollit dhe me mbështetje të mundshme nga qarqet më të larta politike franceze.

Ironia qëndron në faktin se Wenger është pikërisht personi që Infantino e solli në FIFA në vitin 2019, pasi francezi kishte kaluar më shumë se dy dekada në krye të Arsenalit dhe ishte tërhequr nga trajningut në vitin 2018.
Që nga atëherë, Wenger ushtron funksionin e drejtorit për zhvillimin global të futbollit dhe është shndërruar në një prej figurave më me ndikim brenda federatës ndërkombëtare.
Megjithatë, tensionet mes dy personazheve janë bërë gjithnjë e më të dukshme gjatë muajve të fundit.
Wenger e kishte kritikuar publikisht verën e kaluar planin e diskutueshëm të Infantinos për të tërhequr investitorë nga sektori privat në FIFA, duke paralajmëruar se një qasje e tillë mund të ndryshojë identitetin e futbollit dhe ta vendosë këtë sport nën diktatin e interesave financiare./Telegrafi/










































