Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në orët e para të mëngjesit të së premtes në pikën kufitare të Kakavijës, teksa po hynte në Greqi. Gjatë kontrollit të dokumenteve, efektivët e policisë greke konstatuan se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti evropian nga autoritetet zvicerane. Shqiptari kërkohej për trafik të paligjshëm të lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope, si dhe për pastrim parash. Sipas legjislacionit zviceran, veprat penale për të cilat dyshohet parashikojnë një dënim maksimal deri në 20 vite burg. Pas arrestimit, ai u shoqërua në Drejtorinë e Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Janinë, për t’u paraqitur më pas përpara Prokurorisë së Apelit të këtij qyteti.