Kryetari i Partisë Demokratike në Kukës, Rahman Dema, ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës dhe pushtetin vendor për braktisjen e Kukësit, duke renditur shpopullimin, largimin e të rinjve, mbylljen e shkollave dhe mungesën e investimeve si pasojat e qeverisjes së tyre.
Gjatë Foltores së Ripërtëritjes së PD-së, Dema deklaroi se qyteti po përballet me mungesë perspektive dhe se fondet publike nuk po kthehen në zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët.
Ai theksoi se Partia Demokratike duhet të bashkohet dhe të ripërtërihet për t'i dhënë fund kësaj situate, duke shpallur si objektiv politik fitoren e Bashkisë së Kukësit në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
“Kukësi nuk ka nevojë për propagandë, për fotografi inaugurimesh apo për premtime të përsëritura. Ka nevojë për punë, investime, përgjegjësi dhe vizion”, deklaroi Dema.
Fjala e tij:
I nderuar lideri i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha, mirë se erdhët në Kukës. Të nderuar deputetë të qarkut Kukës, zoti Hoxha, zoti Çela. I nderuar deputet i Vlorës mik i kuksianëve, zoti Bujar Leskaj. I nderuar ish-deputet i LDK-së, zoti Xhavit Uka. I nderuar kryetar i Bashkisë Has, zoti Miftar Dauti. Të nderuar drejtues të degëve Kukës, Has dhe Tropojë. Të dashur demokratë, anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike, të dashur qytetarë të Kukësit, Hasit dhe Tropojës, mirë se keni ardhur në foltoren e ripërtëritjes në Kukës. Kanë kaluar 14 vite nga largimi ynë nga pushteti.
14 vite të gjatë opozitë, qëndresë, mund dhe sakrificë. Këto vite na kanë vënë në provë të gjithëve duke na dëshmuar dhe treguar se kush ka qëndruar për bindje, kush ka sakrifikuar për idealin dhe kush e ka parë Partinë Demokratike si një mision politik dhe kombëtar. Por, të dashur miq, duhet të kemi kurajën dhe të shohim përpara dhe të pranojmë se vetëm qëndresa nuk mjafton më, sado e admirueshme të ketë qenë ajo. Ajo kërkon ide të reja, energji të reja, përgjegjësi, vizion dhe mbi të gjitha aftësinë për t'u përshtatur me kohën dhe pritshmëritë e qytetarëve. Sot jemi mbledhur në kuadër të një nisme të rëndësishme politike e cila ka në themel një mision të madh. Ripërtëritjen e Partisë Demokratike, forcimin e saj dhe përgatitjen për të marrë përgjegjësinë e drejtimit të vendit. Ripërtëritja nuk është thjesht një proces organizativ.
Asnjë slogan që duhet të tingëllojë bukur në takimet tona politike. Ajo është një domosdoshmëri historike, një përgjegjësi ndaj demokratëve që kanë qëndruar, ndaj atyre që janë larguar, ndaj brezave të rinj, ndaj çdo qytetari shqiptar që ende beson se Shqipëria mund të jetë një vend më i drejtë, më i lirë dhe më i mirë. Sot nuk kemi nevojë vetëm për një parti demokratike më të mirë. Kemi nevojë të bëhemi një parti demokratike që tejkalon vetveten, që guxon të ndryshojë, që hap dyert, që promovon vlerat dhe që ka si qëllim të vetëm madhor drejtimin e këtij vendi. Ne nuk kemi hyrë në politikë thjesht për të qenë opozitë. Ne nuk jemi krijuar për të qëndruar përgjithmonë në opozitë. Ne jemi krijuar për të qeverisur, për të ndërtuar institucione të forta dhe për t'u dhënë shqiptarëve shpresën se ndryshimi është i mundur. Përballë keqqeverisjes së Edi Ramës, Shqipëria ka nevojë për një forcë politike, dhe kjo forcë politike është Partia Demokratike.
Por për të qenë kjo alternativë duhet të fillojmë nga vetvetja. Duhet të kemi kurajën të reflektojmë, të korrigjojmë atë që duhet korrigjuar, të ruajmë atë që kemi ndërtuar me sakrificë dhe të krijojmë hapësirë për energji, ide dhe njerëz të rinj. Dhe në këtë rrugëtim, ne kemi një arsye të fortë për të qenë krenarë për fitoren e Partisë Demokratike në qarkun e Kukësit në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar 2025.
Por ky nuk ishte thjesht një rezultat elektoral, por një mesazh i qartë se kur demokratët janë të bashkuar, kur respektohen kontributet, kur vlerat, meritat dhe kur partia bëhet shtëpi e hapur për çdo qytetar, dhe fitorja është e mundur. Dhe unë besoj fort se kjo fitore nuk mund të mbetet vetëm një kujtim i së shkuarës, por do të jetë pikënisja e fitoreve të ardhshme. Ripërtëritjen do ta bëjmë një proces të vërtetë, do të mobilizojmë çdo strukturë, ofrojmë çdo demokrat, rikthejmë ata që janë larguar dhe do ndërtojmë një bashkim të sinqertë me qytetarët e Kukësit.
E vetëm kështu jam i bindur... dhe vetëm kështu jam i bindur se në zgjedhjet vendore të 2027-ës do të kemi forcën dhe besimin, mbështetjen për të fituar Bashkinë e Kukësit. Kjo kthen atë qytetarëve duke e nxjerrë nga kthetrat e abuzimit, keqmenaxhimit dhe cenimit të interesit të qytetarëve. Partia Demokratike e Kukësit ka nevojë për një njeri që beson te liria dhe demokracia. Ka nevojë për të rinjtë që kërkojnë një arsye më shumë për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri. Ka nevojë për vajzat, gratë që duan të marrin përgjegjësi dhe të jenë pjesë aktive e vendimmarrjes. Ka nevojë për profesionistët, intelektualët, sipërmarrësit, fermerët, mësuesit dhe çdo qytetar që nuk është pajtuar kurrë me padrejtësinë dhe që beson se vendi ynë meriton më shumë.
Ripërtëritja për mua do jetë e suksesshme vetëm sepse mbështetet te demokratët e vërtetë, te njerëzit me integritet, te meritokracia, tek ata që kanë dije, energji, guxim dhe vullnet për të marrë përgjegjësi. Të dashur demokratë, motra dhe vëllezër. Të flasim për Kukësin do të thotë të flasim për një realitet që nuk mund të fshihet pas propagandës qeveritare. Kukësi sot përballet me një plagë të thellë, atë të shpopullimit, me të rinj që largohen çdo ditë sepse nuk gjejnë një mundësi për të ndërtuar të ardhmen në vendlindjen e tyre.
Po përballemi me mbylljen e shkollave, me fshatra që po mbeten pa nxënës, pa shërbime dhe pa perspektivë për të ardhmen. Po përballemi me mungesën e investimeve reale, me fondet publike që në vend që të kthehen në zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët, ato shkojnë në xhepat e pushtetarëve. Po përballemi gjithashtu me një pushtet vendor e qendror të dështuar për t'iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Kukësi nuk ka nevojë për propagandë, për fotografi inaugurimesh apo për premtime të përsëritura. Ka nevojë për punë, investime, përgjegjësi dhe vizion.
Nuk mund të kërkojmë besimin e qytetarëve pa qenë më parë pranë tyre. Nuk mund të pretendojmë të ndryshojmë Kukësin nëse nuk jemi të gatshëm të ndryshojmë mënyrën se si punojmë, si komunikojmë dhe si i përfaqësojmë ne qytetarët. Partia Demokratike e ka këtë potencial. Sepse beson në vlerat intelektuale të saj, te demokratët që nuk janë dorëzuar dhe ata që presin një arsye të re për t'u bërë pjesë e këtij rrugëtimi. Në këtë rrugëtim unë së bashku me Partinë Demokratike të degës Kukës dhe gjithë strukturën e saj do të jemi pranë demokratëve, pranë qytetarëve, pranë çdo kauze që kërkon drejtësi, dinjitet dhe një jetë më të mirë. Do të jemi në çdo fshat, në çdo njësi administrative, në çdo familje dhe pranë çdo qytetari që kërkon të dëgjohet.
Do punojmë për të rikthyer besimin, për të ofruar njerëzit, për ta bërë Partinë Demokratike një alternativë reale dhe fituese për Kukësin dhe Shqipërinë. Le ta kthejmë këtë moment në një pikënisje të re. Le të mos mjaftohemi me fjalë por t'i japim ripërtëritjes kuptim përmes punës, përgjegjësisë dhe rezultateve. Historia na ka mësuar të qëndrojmë. E tashmja na kërkon të bashkohemi dhe e ardhmja na detyron të fitojmë.
Ne nuk duam thjesht të rikthehemi aty ku ishim. Ne duam të jemi më të mirë se dje, më të bashkuar se sot, dhe më të përgatitur se kurrë për të qeverisur nesër. Sepse Kukësi meriton më shumë, Shqipëria meriton më shumë. Dhe Partia Demokratike është forca që e bën të mundur këtë ndryshim. Me besim te qytetarët, respekt për sakrificën dhe guxim për të ardhmen, le ta nisim së bashku këtë faqe të re. Rroftë Partia Demokratike, Rroftë Kukësi, Rroftë Shqipëria!
© SYRI.net
VIDEO/ Hoxha: Qeveria ka bërë vetëm premtime në Kukës, PD synon t’i kthejë tri bashkitë e qarkut në blu
VIDEO/ Palushi: Lirim, lirim bërtet gjithkah Shqipëria! Lirim nga Edi Rama dhe nga Edi Ramësat
Muçollari: Rama e ka kthyer Parlamentin në një tufë kartonash, dorëheqja e tij është e vetmja zgjidhje