Rrjetet kriminale shqiptare po zgjerojnë aktivitetin e tyre në tregun britanik të kokainës, duke përdorur TikTok-un për të rekrutuar shpërndarës të rinj dhe duke ofruar pagesa deri në 280 paund në ditë. Kjo është ajo që zbulohet në një investigim të publikuar nga mediat britanike, ku dokumentohen mënyrat e organizimit dhe funksionimit të këtyre grupeve në disa qytete të Britanisë së Madhe.

Gjatë një operacioni të fshehtë, gazetarët arritën të kontaktonin persona të përfshirë në aktivitetin kriminal, të cilët ofronin punë për shpërndarjen e kokainës. Në Exeter, një trafikant shqiptar zhvilloi një intervistë pune në një kafene, duke i ofruar personit që kishte aplikuar strehim, listën e çmimeve dhe mundësinë për të nisur shpërndarjen e drogës që në mesditë.

Një tjetër rast u dokumentua në Wigan, ku një drejtues i rrjetit ofroi 280 paund në ditë për shitjen e kokainës. Sipas materialit, grupet përdorin gjithashtu telefona të posaçëm për marrjen e porosive nga klientët, të cilët mund të shiten edhe për shuma që arrijnë deri në 300 mijë paund, në varësi të rrjetit të kontakteve.

Autoritetet britanike vlerësojnë se grupet shqiptare të krimit të organizuar kanë kontrollin kryesor mbi importimin e kokainës në vend. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), Britania është konsumatori më i madh i kokainës në Evropë, ndërsa konsumi është rritur me më shumë se 25% gjatë pesë viteve të fundit.

Materiali evidenton gjithashtu lidhjet mes disa grupeve të trafikut të drogës dhe kontrabandimit të emigrantëve. Në një rast të dokumentuar, ofrohej transportimi i personave që kërkoheshin nga policia drejt vendeve të tjera evropiane, kundrejt pagesës prej 2,500 paundësh.

Ish-oficeri britanik David McKelvey paralajmëron për rrezikshmërinë e këtyre grupeve, duke theksuar se ato janë të gatshme të përdorin rrëmbime, tortura dhe vrasje për të mbrojtur aktivitetin e tyre kriminal.

Materiali thekson se këto të dhëna lidhen me grupe të caktuara kriminale dhe nuk përfaqësojnë komunitetin shqiptar që jeton në Britani.