Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka ndarë një videomesazh nga vizitat në spitalet e Përmetit dhe Devollit, ku ka theksuar ecurinë e reformës spitalore dhe investimet e planifikuara në sistemin shëndetësor.
Sipas ministres, dy struktura spitalore janë tashmë pjesë e reformës spitalore, e cila synon konsolidimin e një modeli më efikas menaxhimi, optimizimin e burimeve dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
“Është një qasje e orientuar drejt rritjes së eficiencës, garantimit të vazhdimësisë së kujdesit dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore sa më pranë vendbanimit të qytetarëve”, u shpreh Spahiu.
Ministrja bëri të ditur se Parlamenti ka miratuar në parim buxhetin për vitin 2027, ndërsa fondet për sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale arrijnë në rreth 117.3 miliardë lekë.
Ajo theksoi se buxheti adreson një sërë prioritetesh, mes tyre aparaturën e PET Scan-it, si dhe financimin e shërbimit të trombektomisë, i cili ka nisur gjatë vitit 2026.
“Pacientët e marrin këtë shërbim si në QSUT ashtu edhe në Spitalin Memorial, duke krijuar një bashkëpunim të rëndësishëm mes dy strukturave”, tha ministrja.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm, sipas saj, është transformimi i Shërbimit të Onkologjisë në Institutin Kombëtar të Onkologjisë, duke nisur nga muaji janar.
“Nga janari, shërbimi i Onkologjisë do të transformohet në Institutin Kombëtar të Onkologjisë. Kjo do t’i japë një vlerë të shtuar jo vetëm qendrës terciare, por edhe spitaleve rajonale ku ofrohen shërbime onkologjike”, deklaroi Spahiu.










