Kancelari gjerman Friedrich Merz i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump të mos i vendosë aleatët europianë përpara surprizave gjatë bisedimeve të pritshme me presidentin rus Vladimir Putin për Ukrainën, të cilat parashikohet të zhvillohen javën e ardhshme në Kinë.
Nga Dublini, Merz shprehu shqetësimin se mund të përsëritet skenari i samitit mes Trumpit dhe Putinit në Alaskë, një takim që udhëheqësit europianë e kishin konsideruar si një moment potencialisht vendimtar në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. “Disa këtu në Dublin kanë frikë se mund të përsëritet skenari i Anchorage. Prandaj dua t’ia përcjell shumë qartë mesazhin tonë Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Ju lutem, pa surpriza. Vazhdoni të veproni si pjesë e ekipit të Europës dhe ekipit të Ukrainës”, theksoi kancelari gjerman.
Merz po përpiqet gjithashtu të sigurojë që udhëheqësit e BE të angazhohen për vazhdimin e mbështetjes ndaj Ukrainës, në kuadër të negociatave për buxhetin afatgjatë të unionit. Ai tha se propozimi i tij ka marrë mbështetje të gjerë, por se palët janë ende larg arritjes së një marrëveshjeje. Pas takimeve të zhvilluara këtë javë mes përfaqësuesve amerikanë dhe rusë në Abu Dhabi, pritet që gjatë javëve të ardhshme të nisin negociatat thelbësore të paqes, ku për herë të parë duhet të marrin pjesë edhe përfaqësuesit europianë, sipas Merz.
Kancelari gjerman hodhi poshtë kërkesat e Rusisë që arkitektura e sigurisë europiane të vendoset në qendër të negociatave, duke theksuar se një strukturë e tillë ekziston tashmë në formën e NATO-s. “Bisedimet e ardhshme duhet të përqendrohen në një çështje thelbësore: në çfarë kuadri mund të garantohet siguria e Ukrainës pas arritjes së paqes? Por së pari duhet ta arrijmë atë paqe”, përfundoi Merz.
