Ekzekutimi i Christa Pike u kthye në një makth, autoritetet refuzojnë të japin ilaçin vdekjeprurës për ekspertizë Franca po përgatitet për një tjetër fundjavë protestash kundër rritjes së kostos së jetesës. Të shtunën, më 14 nëntor, janë paralajmëruar tubime dhe marshime në disa qytete të vendit, ndërsa vëmendja kryesore e autoriteteve është përqendruar te Parisi.
Për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, autoritetet franceze planifikojnë të angazhojnë deri në 70 mijë efektivë, mes policisë dhe xhandarmërisë, në të gjithë territorin e vendit.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, deklaroi për televizionin “LCI” se do të zbatohet një plan i ngjashëm me atë të fundjavës së kaluar dhe masat e marra që prej 24 tetorit. Megjithatë, numri përfundimtar i forcave të angazhuara do të rishikohet gjatë një takimi të planifikuar për 13 nëntor.
“Do të kemi të njëjtin plan angazhimi si të shtunën e kaluar”, deklaroi Nunez, duke theksuar se bëhet fjalë për një strukturë të lëvizshme dhe fleksibël, e cila përshtatet sipas zhvillimeve në terren.
Sipas ministrit, grupet që konsiderohen me rrezik për rendin publik kanë tendencë të ndahen në grupe të vogla dhe të përpiqen t’u shmangen masave të sigurisë.
Protesta e 14 nëntorit do të jetë e pesta në ditë shtunë radhazi që qytetarët dalin në rrugë kundër shtrenjtimit të jetesës. Në mobilizime marrin pjesë lëvizja “Jelekët e Verdhë” dhe disa organizata rinore.
Protestave pritet t’u bashkohen edhe kolektivi “Enfantiste”, që kundërshton dhunën ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve, organizata që janë kundër një projektligji për prezumimin e përdorimit të ligjshëm të armëve nga forcat e rendit, si dhe aktivistë të mjedisit.
Përmasat e mobilizimit dhe numri i lartë i forcave të sigurisë tregojnë se autoritetet franceze po përgatiten për një tjetër ditë të tensionuar, veçanërisht në kryeqytet, ku pritet të përqendrohet një pjesë e rëndësishme e protestave.
Top Channel