Gjendet një iPhone në burgun e Shkodrës, AMP nis hetimet
Një telefon celular i markës iPhone është zbuluar në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Shkodër, gjatë një kontrolli të zhvilluar nga autoritetet përgjegjëse për mbikëqyrjen e sistemit penitenciar.
Kontrolli është kryer më 13 nëntor 2026 nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), në bashkëpunim me grupin e sigurisë së burgut të Shkodrës.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë verifikimeve në ambientet e përbashkëta të institucionit është konstatuar një aparat celular iPhone. Pajisja konsiderohet send i ndaluar brenda institucioneve ku personat vuajnë dënimin ose mbahen në paraburgim.
Pas zbulimit të telefonit, agjencia ka nisur veprimet e nevojshme procedurale për dokumentimin e rastit. Në përfundim të këtyre veprimeve, materialet përkatëse do t’i përcillen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
Rasti do të hetohet për veprën penale të “Futjes ose mbajtjes së sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, e parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë, nuk janë bërë të ditura detaje lidhur me personin që zotëronte telefonin, mënyrën se si pajisja ka përfunduar brenda ambienteve të burgut apo nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



