Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën për lirim nga burgu të katër të dyshuarve si pjesëtarë të një grupi kriminal, ndaj të cilit SPAK po heton trafikimin ndërkombëtar të rreth 7.5 tonëve lëndë narkotike.
Bëhet fjalë për Lulëzim Pepën, Fatjon Markun, Aleks (Shkëlqim) Pepajn dhe Ilir Lazrin, të cilët do të vijojnë të qëndrojnë në paraburgim. Ata kishin kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, si dhe që Prokuroria të paraqiste me shkrim informacion mbi hetimet e kryera dhe nevojat për vijimin e masës së sigurisë.
Pas shqyrtimit të kërkesës, trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, i kryesuar nga gjyqtarja Alma Kodraliu, vendosi më 13 nëntor 2026, me vendimin nr. 995, rrëzimin e saj.
Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet gjyqësore të paguhen nga vetë kërkuesit. Ndaj këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda pesë ditëve, duke nisur nga dita pas njoftimit të vendimit.
Katër personat janë pjesë e një grupi prej 11 të dyshuarish, të hetuar nga SPAK për trafikim ndërkombëtar të rreth 7.5 tonëve lëndë narkotike. Hetimi lidhet me dyshimet për përfshirjen e tyre në veprimtari të organizuar të trafikimit të drogës në përmasa ndërkombëtare.

