Një tjetër episod i dyshuar i përplasjes mes grupeve kriminale në Sarandë dhe Ksamil është regjistruar më 29 nëntor 2025, kur lokali prej druri “Bumble Bee” në Ksamil u përfshi nga flakët dhe u shkrumbua plotësisht. Biznesi ishte në pronësi të Ramadan Zotos, i njohur edhe me emrin Ramadan Canaj.

Sipas materialit hetimor, dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm, ndërsa ngjarja po shihet si një tjetër episod në sagën e përgjakshme të përplasjeve që nisën pas konfliktit të armatosur të korrikut 2025, ku mbetën të plagosur dy të rinj, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama.

Në këtë zinxhir ngjarjesh përfshihet edhe vrasja me tritol e Isuf Jaçajt, babait të Klaus Jaçajt, më 5 tetor 2025. Hetuesit po shqyrtojnë dyshimet se djegia e biznesit të Zotos mund të ketë qenë një tjetër mesazh hakmarrjeje në kuadër të konfliktit mes palëve.

Kush është Ramadan Zoto? Shtatë emra, gjashtë atësi dhe dhjetë mbiemra

Materiali investigativ ndalet edhe te e kaluara e Ramadan Zotos, i cili rezulton në regjistrat e policisë greke me shtatë emra, gjashtë atësi dhe dhjetë mbiemra të ndryshëm.

Në dokumentacion përmenden disa precedentë penalë në Greqi, mes tyre akuza për grabitje me armë dhe dyshime për përfshirje në një vrasje në Athinë në vitin 2005.

Në vitin 2019, Zoto u arrestua në Greqi pas një ndjekjeje policore, gjatë së cilës iu gjetën armë dhe kokainë. Ndërsa në Shqipëri, në vitin 2022, ai u akuzua për dhunimin e një punonjësi sigurie në spitalin e Sarandës.

Një tjetër episod i dokumentuar daton në vitin 2024, kur u arrestua me dy pistoleta. Megjithatë, më 29 prill 2025, Gjykata e Sarandës e shpalli të pafajshëm për këtë çështje.

Emri i tij u rikthye në dosjet hetimore në korrik 2025, pas përplasjes së armatosur ku u plagosën Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama.

Pista e një grupi kriminal nga Tirana

Një tjetër pistë që po shqyrtohet nga hetuesit lidhet me dyshimet se goditja ndaj grupit të Ramadan Zotos mund të jetë organizuar nga një grup kriminal me bazë në Tiranë.

Sipas materialit investigativ, në këtë pistë përmendet një personazh me precedentë penalë dhe ndikim të konsiderueshëm ekonomik, për të cilin organet ligjzbatuese dyshojnë se ka fituar fuqi të madhe në botën e krimit.

Megjithatë, kjo mbetet një pistë hetimore dhe deri më tani nuk ka një konfirmim përfundimtar mbi autorësinë e djegies së lokalit apo lidhjen e saj me atentatet e mëparshme.

Djegia e “Bumble Bee”, vrasja e Isuf Jaçajt dhe plagosja e dy të rinjve në korrik janë episode që, sipas materialit hetimor, po shqyrtohen në kuadër të përplasjes së dyshuar mes grupeve kriminale në zonën e Sarandës dhe Ksamilit.

Dokumentari i plotë:

Një burrë po del qetësisht nga lokali ku sapo ka konsumuar një kafe.
Është mëngjes dhe kjo për të duket një rutinë e zakonshme, të cilën ai e kryen shpesh në qytetin e tij. Por ndërsa ecën i patrazuar në trotuar, vetëm pak metra pasi ka lënë lokalin ku sapo është çuar, hapat e tij ndalen fillimisht para një siluete të veshur me rroba motorristi.
Siluetë e cila mban në kokë një skafandër dhe në njërën dorë i drejton një pistoletë, e cila pa paralajmërim nis të qëllojë drejt tij.
Është afërsisht ora 10.00, e datës 20 Shtator 202 dhe një skenë e tillë eleminimi mafioz është kthyer në një ngjarje të zakonshme për qytetin e Sarandës.
Këtu ku vrasjet e kësaj natyre janë kthyer në refrenin e ditës. Ose më saktë në një sagë të përgjakshme që ka tronditur rëndë qetësinë e qytetit, të paktën në 5 vitet e fundit.
Ashtu si edhe fundi i viktimës që shikoni në pamjet e dokumentuara nga kamerat filmike në qytet.
44- vjeçari, Artan Murtaj, bën përpjekje të dëshpëruara për t’i shpëtuar pusisë së plumbave që e prisnin vetëm disa metra nga lokali ku sapo kishte dalë.
Pamje të forta që tregojnë realitetin e vështirë në të cilin ndodhet sot qyteti i Sarandës.

Një qytet ku lufta për territor, pronat e lakmuara të bregdetit, linjat e transportit detar apo pushteti mbi lëndët narkotike e kanë kthyer atë nga një qytet të dedikuar turizmit, në një ferr ku mbizotërojnë hakmarrjet dhe plumbat.
Një qytet që shpesh në 3 vitet e fundit është tronditur nga ngjarjet e rënda, si atentate mafioze, shpërthime me eksploziv, por edhe zhdukje misterioze të personave të ndryshëm.
Ashtu si në rastin e Artan Murtaj.
Që ndërsa i shpëton tentativës së parë të eleminimit të tij, motorristi vrasës tashmë e ndjek nga pas me dy armë në duar.
Dhe bashkë me të, pas tij, ai që e ndjek viktimën është një motorrist i dytë, i hipur mbi motorr.
Edhe ky i veshur nga koka te këmbët me të zeza.

Shënjestra e atentatit që siç shikohet edhe në këto pamje përpiqet më kot deri në frymëmarrjen e fundit t’i shpëtojë plumbave të cilët po i vërshëllejnë pas shpine, ndërsa ai vrapon të dalë në rrugën kryesore në kërkim të shpëtimit të jetës.
Disa prej këtyre plumbave të cilët ndërkohë i ka marrë në trup, por kjo mesa duket nuk ia ka reshtur ende fuqitë.
Atentatori që gjithsesi e arrin prenë e tij në dalje të rrugicës, aty ku për të qenë i sigurt e qëllon edhe disa herë në trup dhe në kokë, dhe më pas nga sa shikohet ngjitet në vendin e pasmë të motorrit dhe largohet nga vendngjarja. Atentat ku përveç viktimës, mbetet i plagosur edhe një kalimtar i rastit.

Por përse u vra Artan Murtaj, dhe çfarë e lidh atë me sagën e përgjakshme që ka tronditur Sarandën në dy vitet e fundit. Eliminime ku është përdorur edhe tritoli. Si në rastin e ekzekutimit të Isuf Jaçaj. Cili është profili edhe kriminal i Artan Murtaj, i njohur ndryshe edhe si ‘Tani i Ruzhdiut’.
I cili siç thamë u vra mëngjesin e datës 20 shtator vetëm 100 metra larg komisariatit të Sarandës, në vendin e njohur si ish-Agjencia.
Murtaj që sapo kishte lënë qelinë, pasi ishte arrestuar për plagosjen e dy të rinjve nga Kamza në Sarandë.
Këtu ku duket se u firmos edhe mandati i tij i vdekjes.
Por çfarë është kjo ngjarje e cila trazoi kaq fort Sarandën në pak kohë, duke prodhuar njëkohësisht edhe viktima.

Cili është roli i Artan Murtaj dhe si lidhet prania e tij me këto ngjarje, që pasuan më tej me një seri kriminale deri mizore ngjarjesh.
E fundit, vetë eleminimi i 44-vjeçarit, ku në vendngjarje u gjetën 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra, dhe ku u morën në pyetje 20 persona.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, gjithçka duket se fillon më datë 17 Korrik 2025 në një lokalet e qytetit të Sarandës, dita kur në këtë lokal mbetën të plagosur dy shtetas. Konkretisht Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama. Të dy me banim në Kamëz, por që këtë ditë ndodheshin në Sarandë.
Personazhe të cilët më herët kishin qenë të skeduar nga Policia e Shtetit për aktivitetin e tyre kriminal. Pasi vetëm disa muaj më parë, më 8 Janar 2025, ata ishin ndaluar nga policia për kundërshtim të forcave të rendit, në rrugën ‘Skënderbeu’ në Sarandë. Por që më pas ishin lënë të lirë.
Ajo që e bënte edhe më të rrezikshëm profilin e tyre ishte fakti se ata ishin shokë të Ervis Lamit.
Një personazh ky i cili thuhet se ka fituar një reputacion të fuqishëm në botën e krimit.
Por që kishte shtrirë apo po kërkonte t’i shtrinte tentakulat e tij edhe në qytetin e Sarandës.
Këtu ku kishte filluar të krijonte përplasjet e tij edhe me personazhe protagonistë të krimit në këtë qytet.
Siç ishte edhe Ramadan Zoto.

43- vjeçari i cili mban mbi supe një rekord të gjatë krimesh, të shtrira sa në Shqipëri dhe në Greqi. Personazhi i cili si askush tjetër mban 7 emra, 6 atësi dhe 10 mbiemra.
Por si u përplasën Ramadan Zoto, dhe miqtë e tij, midis tyre edhe Artan Murtaj dhe Klaus Jaçaj, me dy vizitorët e padëshiruar, mesditën e datës 17 korrik 2025, në ambientet e brendshme të një lokali në Sarandë.

Sipas dinamikës së zbardhur nga grupi hetues mbështetur edhe në kamerat e sigurisë, gjithçka duket se nis në mesditën e kësaj dite.
Ku gjithçka ndodh në harkun kohor të pak minutave.
Koha kur fillimisht në lokalin ‘Kozi Bistro’, që ndodhet vetëm pak metra larg stadiumit të qytetit, fillimisht në ambientet e tij futen shtetasit Ramadan Zoto dhe Artan Murtaj.

Dhe pas tyre edhe disa persona të tjerë, të cilët do të jenë pjesë e konfliktit, që do të zhvillohet vetëm disa minuta pasi ata kanë marrë pozicionet e tyre në lokal.

“Sipas pamjeve filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë në lokal, fillimisht më datë 17 Korrik 2025, në orën 14.57, në ambientet e lokalit ‘Kozi Bistro’ shfaqen dy persona.
Të cilët pas identifikimit rezultuan të jenë shtetasit Ramadan Zoto (Canaj), me trup mesatar, pak i bëshëm, i qethur pothuajse zero, dhe personi tjetër, trup gjatë, i identifikuar si Artan Murtaj.
Persona të cilët pasi futen në lokal ulen në një nga tavolinat në hyrje. Konkretisht Ramadan Zoto, i cili ulet me pamje nga vetratat e lokalit.

Ndërkohë që afërsisht një minutë më pas në lokal futen dhe dy persona të tjerë. Konkretisht Erjon Canaj dhe një person i dytë që në qafë mban një marsup, i identifikuar si Klaus Jaçaj.
Të cilët ulen në ambientet e jashtme të lokalit.
Lokal ku në këtë moment ka edhe klientë të tjerë të cilët po drekojnë, midis tyre edhe gra dhe fëmijë.
Ndërsa në orën 14.59 në lokal futet edhe shtetasi i identifikuar si K. V, i cili ulet në tavolinën ku ndodhet shtetasi Ramadan Zoto (Canaj)”, thuhet në dosjen hetimore.

Por pa kaluar as edhe një minutë nga momenti, kur personat e sipër përmendur janë rehatuar tashmë në tavolinat e tyre të ndarë në dy grupe, njëri brenda lokalit dhe tjetri në verandën e barit, pamjet filmike tregojnë se në lokal shfaqen edhe dy persona të tjerë.

Të cilët mesa duket nuk janë edhe aq të panjohur për Ramadan Zoton dhe miqtë me të cilët ai është ulur në lokal. Apo ata të cilët më pas gjatë zhvillimit të konfliktit do të rezultojnë se janë aty për të ndihmuar atë. Siç është Klaus Jaçaj dhe Erjon Canaj, që në këtë moment ndodheshin të ulur në verandën e lokalit.
Sipas identifikimit të bërë më pas nga grupi hetues, personat të cilët futen të fundit në lokal dhe që shpejt do të ishin edhe viktimat e agresionit të Ramadan Zotos dhe grupit të tij, janë Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama.
Të dy banues në Kamëz, por që këtë ditë ndodheshin në Sarandë. Të dy të ndaluar më herët nga policia për kundërshtim të forcave të rendit.

“Menjëherë pasi shtetasi K. V futet në lokal, pas tij shfaqen dy persona, ku njëri është trup gjatë dhe krahëqafë ka të hedhur një çantë ngjyrë gri në të zezë.
Shtetas ky i identifikuar si Gëzim Hajdaraj, ndërsa personi i dytë ka një trup mesatar, pak i bëshëm i cili mban në kokë një kapele me strehë rrumbullake i cili edhe ky mban krahëqafë një marsup, i identifikuar si shtetasi Ernest Lama.
Persona të cilët ulen në tavolinën e fundit të lokalit, ne cep të verandës së jashtme.
Ndërkohë që në tavolinën ku ndodhet i ulur shtetasi Ramadan Zoto dhe Artan Murtaj, shtetasi K. V lë mbi të çantën e tij dhe më pas largohet në një ambient tjetër të lokalit që nuk është i survejuar nga kamerat”, thuhet në dosje.

Por me të parë praninë e dy personave të sapoulur në një nga tavolinat e lokalit, grupi i Ramadan Zotos, nis lëvizjet e para.

Fillimisht kamerat e sigurisë fiksojnë Ramadan Zoton dhe Artan Murtaj, të cilët lëvizin të parë nga vendi ku janë ulur dhe drejtohen në tavolinën e mysafirëve të padëshiruar.

Momenti kur pamjet filmojnë fokusojnë Ramadan Zoton teksa mban në dorë një armë zjarri të tipit pistoletë. Dhe më këtë armë i shoqëruar nga Artan Murtaj, drejtohet pikërisht në vendin ku janë të ulur dy klientët e sapoardhur Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama.

“Në orën 14.59, në brendësi të lokalit, vihet re se shtetasi Artan Murtaj dhe Ramadan Zoto, çohen nga tavolina ku deri në këtë moment po qëndronin të ulur. Nga ajo që konstatohet është se Ramadan Zoto nxjerr nga brezi një armë në dukje zjarri të tipit pistoletë dhe drejtohet për në ambientet e jashtme të lokalit, aty ku ndodhen të ulur shtetasit Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama”, thuhet në dosje.

Por njëkohësisht me ta, kamerat fiksojnë të lëvizin edhe shtetasit Erjon Canaj dhe Klaus Jaçaj, të cilët ndodheshin të ulur në pjesën e jashtme të lokalit.
Ndërsa Ramadan Zoto që tashmë ka mbërritur në tavolinën ku ndodhen të ulur Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama, duke qëndruar përballë tyre u drejton pistoletën.

Edhe pse nuk dihet se cila është biseda që ai zhvillon me ata.
Apo kërcënimi që ai u drejton. Ndërsa ajo që vihet re është se Ramadan Zoto qëllon me pistoletë fillimisht në drejtim të Ernest Lama.

“Pikërisht në këtë moment Ramadan Zoto kalon dhe më pas qëndron përballë shtetasve Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama, të cilëve u drejton një armë zjarri në dukje pistoletë. Teksa ajo që vihet re është se Ernest Lama çohet në këmbë dhe Ramadan Zoto e qëllon me armë zjarri. Ndërsa Ernest Lama përpiqet të shpëtojë duke u përkulur”, thuhet në dosje.

Por teksa Ernest Lama përpiqet t’u shpëtojë plumbave, pamjet tregojnë se Ramadan Zoto tashmë është kthyer nga miku me të cilin shënjestra e tij ndodhet në tavolinë.
Pikërisht nga Gëzim Hajdaraj, i cili në këtë moment ndodhej ende i ulur në tavolinë.
Të cilin e qëllon me dy plumba në trup, duke e lënë të plagosur në verandën e jashtme të lokalit.
Ndërkohë që Ernest Lama, përpiqet të shpëtojë, pavarësisht se ka marrë një plumb në këmbën e tij.

“Në këtë moment Ramadan Zoto i drejtohet me armë zjarri edhe shtetasit Gëzim Hajdaraj, i cili çohet dhe kërkon të ikë me nxitim. Zoto që e godet në dukje dy herë me pistoletë, duke e lënë të rrëzuar në trotuar në verandën e jashtme. Dhe më pas kthehet sërish nga Ernest Lama duke i drejtuar pistoletën.
Ky i fundit që çohet dhe duke u mbështetur në njërën këmbë tenton të largohet”, thuhet në dosje.

Por edhe pse ai që ka marrë përsipër të përballet me dy të huajt është Ramadan Zoto, i cili shihet teksa i qëllon edhe me armë zjarri, në konflikt në këtë moment përfshihen edhe pjesëtarët e tjerë të grupit.
Ku ai që spikat është Artan Murtaj.
I cili në fillim ishte i ulur në të njëjtën tavolinë në lokal me Ramadan Zoton.

“Murtaj që pasi e shoqëron Ramadan Zoton deri në tavolinën ku ndodheshin dy personat e padëshiruar, dhe është dëshmitar i skenës së plagosjes së tyre me armë, nuk mjaftohet me kaq, por sulmon fizikisht edhe njërin prej tyre.
Pavarësisht se ai është i plagosur në njërën këmbë.
Pamjet që tregojnë se Murtaj, qëllon me grusht në kokë por edhe me shkelma në pjesën e pasme, Ernest Lamën, që në këtë moment po kërkonte të largohej për të shpëtuar nga plumbat që po qëllonte Ramadan Zoto.

Gjatë kohës që Ramadan Zoto qëllon mbi dy personat e ulur në tavolinë, pranë tij shkojnë Erjon Canaj dhe Artan Murtaj.

Murtaj që pasi shikon shtetasin Ernest Lama duke u larguar nga lokali shkon pas tij dhe ndërsa e arrin fillimisht e qëllon me grusht pas kokës dhe më tej me shkelm në vithe, për të humbur më pas nga fushëpamja e kamerave.
Krahas Artan Murtaj, aktiv në këtë ngjarje duket se janë edhe dy miqtë e tjerë të Ramadan Zotos.
Konkretisht Erjon Canaj dhe Klaus Jaçaj.
Ky i fundit i cili duket se ka mbërritur i armatosur në lokal, teksa gjatë konfliktit shikohet teksa mban dorën në pjesën e pasme të pantallonave.
Por që nuk rezulton në asnjë moment të ketë nxjerrë armën nga brezi.

“Në këtë moment Erjon Canaj dhe shtetasi Klaus Jaçaj që mban gjatë gjithë kohës dorën në pjesën e pasme të pantallonave afrohen te shtetasi Ramadan Zoto.
Ku ajo që vihet re është se Klaus Jaçaj e kap me duar Ramadan Zoton, dhe ky i fundit largohet me shpejtësi në brendësi të lokalit, në zonën e tualetit apo magazinave, ku më parë ishte futur shtetasi K.V. Aty ku qëndrojnë për disa çaste. Ndërsa më tej ata dalin me shpejtësi jashtë lokalit. Teksa ajo që vihet re është se Ramadan Zoto, mban përgjatë gjithë kohës një armë në dorë të tipit pistoletë.

Ku fillimisht kalon në krahun e lokalit ku ndodhej i shtrirë shtetasi Gëzim Hajdaraj.
Dhe më tej po me armë në dorë vazhdon në këmbë në pjesën e trotuarit në drejtim të stadiumit derisa humbet nga fushëpamja e kamerave.
Gjë të cilën e bëjnë edhe Klaus Jaçaj dhe Artan Murtaj. Ndërsa Erjon Canaj pasi vesh shapkat në lokal del dhe ecën në drejtimin që morën Ramadan Zoto, Artan Murtaj dhe Klaus Jaçaj”, thuhet në dosje.

I mbetur i plagosur në vendngjarje, ndërsa shoku i tij Ernest Lama ka mundur të largohet disi nga lokali, Gëzim Hajdaraj shihet teksa mundohet të kërkojë ndihmë.
Ndërsa autori dhe bashkëpunëtorët në ngjarje, kanë mundur të largohen me nxitim nga aty.
Ose më saktë të arratisen.

“Pasi grupi i përfshirë në konflikt largohet nga lokali shtetasi Gëzim Hajdaraj, tenton të lëvizë dhe duke u zvarritur shkon pranë trotuarit të lokalit ‘Kozi Bistro’.
Në orën 15.00 vihet re se në ambientet e jashtme të lokalit afrohen dy persona.
Njëri i seksit mashkull i moshës 30 vjeç dhe një grua e moshës 50-60 vjeçe, të cilët shkojnë pranë shtetasit Gëzim Hajdaraj, që vazhdon të qëndrojë i shtrirë në trotuar.

Hajdaraj i cili heq nga trupi çantën e tipit marsup dhe ia jep fillimisht personit të seksit femër, e cila më pas ia jep personit tjetër që e shoqëronte. Personi që pasi merr çantën i drejtohet ambienteve të brendshme të lokalit dhe e lë çantën mbi tabaka në banak”, thuhet në dosje.

Ky person i cili mori çantën e personit të plagosur dhe e vendosi mbi banak, do të rezultonte të ishte kamarieri i lokalit.
Ndërsa gruaja që i dha ndihmën e parë, punonjëse në lokalin ku ndodhi përplasja me armë.
Por njëkohësisht edhe nëna e pronarit të lokalit.
Ndërkohë që në këtë moment kamerat e sigurisë fiksojnë edhe shtetasin K. V, që pasi del nga zona e tualeteve apo magazinës së lokalit drejtohet fillimisht drejt stadiumit të qytetit.

Dhe më tej ai kthehet edhe njëherë në lokal, nga ku merr çantën që kishte lënë në tavolinën ku më herët kishte qenë i ulur me shtetasin Ramadan Zoto.
Dhe pasi e merr këtë çantë largohet sërish nga lokali.
Shtetasi K. V roli i të cilit është ende i paqartë në këtë ngjarje.
Edhe pse lëvizjet e tij në lokal si para ashtu dhe pas ngjarjes kanë qenë të dyshimta.
E marrë në pyetje në lidhje me dijeninë e saj për ngjarjen, punonjësja e lokalit që i erdhi e para në ndihmë njërit prej të plagosurve në këtë ngjarje, Gëzim Hajdaraj, tha se ajo nuk i njihte autorët dhe viktimat.

“Unë kam qenë në afërsi të lokalit ku ndodhet piceria dhe kuzhina kur kam parë një person të shtrirë në tokë që më tha merr ambulancën si dhe çantën që kishte me vete.
Unë e mora çantën dhe ia dhashë kamarierit Angjelo Marga, i cili e la në banak aty ku edhe u gjet. Unë nuk e njoh personin e plagosur, po kështu as ata që e plagosën pasi isha larg”, Agathulla Gurma.

Të njëjtin version për grupin hetues dha edhe kamarieri i lokalit ku ndodhi ngjarja.
I cili tregoi se çfarë ndodhi në vetëm dy minuta në lokal.
Që nga momenti kur personat erdhën aty dhe deri te shkrepja e armës.

Ngjarje e cila kishte rrjedhur aq shpejt sa ai nuk kishte mundur as t’u merrte porosinë, personave, të cilët më pas u përfshinë në konflikt.
Grafikë

“Unë jam i punësuar si kamarier në lokalin ‘Kozi Bistro’.
Fillimisht dua të sqaroj se në lokal u ulën dy persona të cilëve nuk ua kisha marrë ende porosinë.
Në këtë kohë unë ndodhesha në lokal pasi po merresha me porositë, ndërsa kamarieri tjetër ndodhej te zona e picerisë.
Në këtë moment unë dëgjova një të bërtitur dhe shkrepjen e armës, ku menjëherë unë dhe banakierja u futëm në kuzhinë dhe mbyllëm derën nga brenda.

Kur ishim në kuzhinë dëgjuam disa njerëz që donin të hapnin derën e tualetit.
Pas disa minutash, ndërsa nuk dëgjuam më zhurmë, ne dolëm nga kuzhina dhe pamë një person të plagosur, të shtrirë në tokë, në hyrje të lokalit.
Unë mora disa shishe ujë dhe po prisnim ambulancën derisa të vinte.
Në lidhje me çantën e personit të plagosur nuk e di nëse e kam lënë unë në banak apo Agathulla Gurma, mamaja e pronarit të lokalit, kjo pasi isha i traumatizuar nga ngjarja” Angjelo Marga

Të parët që morën njoftimin lidhur mbi ngjarjen kriminale dhe që mbërritën në vendngjarje ishin oficerët e policisë së komisariatit të Sarandës.
Të cilët bënë menjëherë kqyrjen e plotë të vendit të ngjarjes.
Aty ku gjetën të shpërndara edhe gëzhoja fishekësh të qitur në vendngjarje.
Si edhe njolla gjaku, që i përkisnin personae të përfshirë në konflikt.
Konkretisht Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama.

“Më datë 17 Korrik 2025 është marrë njoftim nga Salla Operative e Policisë Sarandë, se në vendin e quajtur rrethrrotullimi pranë stadiumit në lagjen Nr. 4, në lokalin ‘Kozi Bistro’, është qëlluar me armë zjarri një shtetas i cili më pas është dërguar në urgjencën e spitalit ‘Petro Nako’ në Sarandë për të marrë ndihmën e parë mjekësore.

Me marrjen e njoftimit është krijuar grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para hetimore në funksion të zbardhjes së kësaj ngjarje.
Ku nga kqyrja e vendit të ngjarjes, në pjesën e jashtme në anën jugore në një distancë 1.9 m nga lokali mbi trotuar janë gjendur njolla si ato të gjakut.
Po kështu në sipërfaqën jugore të lokalit mbi dysheme është gjendur një gëzhojë si ato të fishekëve luftarakë.
Ndërkohë që gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes u gjendën edhe dy fishekë të tjerë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Por arsyeja e vërtetë se përse njëri nga të plagosurit, në këtë rast Gëzim Hajdaraj, u kujdes të hiqte nga trupi marsupin e tij dhe t’i kërkonte kamarierit të lokalit ta linte diku, lidhej me atë çka kishte brenda çanta që ai mbante.

Ku nga ekzaminimi i kësaj çante u zbulua se në brendësi të saj ndodhej një armë zjarri e tipit pistoletë.

Çka do të thotë se edhe grupi i tjetër i përshirë në konflikt ashtu si agresorët kishte ardhur i armatosur në lokal.

“Në brendësi të lokalit, ku ndodhet ekspresi, u gjend një çantë krahu e markës ‘Luis Vutton’, brenda së cilës u gjet një armë zjarri pistoletë e tipit ‘Pietro Beretta Gondone VT’ Made in Italy’.
Ku në folenë e kësaj arme ndodhej një krehër i cili pasi u hoq brenda tij u gjendën 9 fishekë pistolete të pagoditur.

Po kështu brenda kësaj çante u gjend edhe një kartë identiteti me gjeneralitetet Gëzim Hajdaraj, si edhe një kartë e plastifikuar me gjeneralitetet Gëzim Muja.
Menjëherë pas ngjarjes, policia shpalli në kërkim autorin dhe bashkëpunëtorët në këtë përplasje.
Konkretisht shtetasit Ramadan Zoto, Klaus Jaçaj, Artan Murtaj dhe Erjon Canaj.

Ramadan Zoto i cili u arrestua në Korçë, vetëm një muaj nga ngjarja më datë 22 Gusht 2025.
I cili pretendoi se ishte ndjerë i kërcënuar dhe se ngjarja kishte qenë e papritur, dhe jo e paramenduar. Dhe sipas palës së tij mbrojtëse kishte ndodhur në vendin ku Zoto ishte ulur në kafene me bashkëshorten dhe fëmijët e mitur. Kjo pasi palët e dëmtuara kishin ardhur në qytetin e Sarandës, dhe ishin ulur pikërisht në kafenenë ku ai ishte me familjen, duke e kërcënuar hapur edhe me armë.
Duke e cilësuar kësisoj ngjarjen si një vetëmbrojtje dhe jo si një iniciativë kriminale.
Ndaj edhe për këtë arsye pala mbrojtëse e zgjedhur nga Ramadan Zoto kërkoi që kualifikimi I veprës penale të mos jetë vrasje e mbetur në tentativë, duke e quajtur këtë akuzë si të nxituar dhe pambështetur, të vendosur qëllimisht në mënyrë tendencioze nga ana e prokurorisë.

“Ramadan Zoto pretendon se konflikti ka nisur si pasojë e një konflikti të gjatë në zonat bregdetare të poseduar më parë nga Ramadan Zoto dhe familjarët e tij,
e dokumentuar kjo me kallëzime të shumta si nga ai ashtu dhe nga ana e familjarëve të tij, përpara organit të drejtësisë.
Gjë që tregon që nuk është ai iniciatori i dhunës, por palë e një mosmarrëveshje që ka degjeneruar për shkak të mungesës së zgjidhjes institucionale”, thuhet në dosje.

Por edhe pse Ramazan Zoto, u arrestua një muaj pas ngjarjes dhe deklaroi se shkak ishin bërë mosmarrëveshjet për punën e pronave në bregdet, duket se kjo nuk e qetësoi aspak situatën.
E cila nga sa shikohet në vazhdim do të kthehet në një revansh nga ana e palës së dëmtuar.
E cila do të nisë hakmarrjen e saj të egër ndaj të gjithë personave që kishin marrë pjesë edhe si bashkëpunëtorë në ngjarje.
Fillimisht duke eleminuar Isuf Jaçaj.
Babain e Klaus Jaçaj, i cili atë ditë ndodhej në lokal bashkë me Ramadan Zoton, dhe shikohet teksa afrohet pranë tij, gjatë momentit që ky I fundit ka qëlluar ndaj Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamaj.
Isuf Jaçaj, babai i Klaus Jaçaj, që ishte përpjekur pas ngjarjes të bindte të të birin të dorëzohej në polici.
Kjo e vërtetuar edhe nëpërmjet mesazheve që babai i dërgoi të birit gjatë kohës që ky I fundit ishte në arrati.

Telefonata:
Isuf Jaçaj, telefonon të birin Klaus Jaçaj.
‘Duhet të dorëzohesh vetë në polici për përkrahjen e autorit të krimit, në të kundërt do të vi unë të të gjej ku je fshehur dhe të dorëzoj në polici me duart e mia. Keni plagosur dy të rinj e kupton këtë gjë…

Por ndërsa Klaus Jaçaj ndodhej në arrati, katër ditë pas përplasjes me armë të ndodhur në lokalin ‘Kozi Bistro’ në Sarandë, më datë 22 Korrik 2025, makina e tij hidhet në erë me tritol ndërsa ndodhej e parkuar në një nga lagjet e qytetit.
Teksa një person i maskuar me maskë silikoni, vendos tritol në automjetin e tij, duke e shkatërruar plotësisht.
Një mesazh ky i qartë se tashmë ishte në shënjestrën e goditjes së grupi rival.

Policia e Sarandës:
Më datë 21 korrik 2025, rreth orës 23:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit Klaus Jaçaj, 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale ‘Përkrahja e autorit të krimit’, në lidhje me ngjarjen e datës 17 korrik 2025, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas.
Por ndërkohë që Klaus Jaçaj ndodhej në arrati, në adresë të tij, apo të familjarëve të tij, kishte shkuar edhe një mesazh kërcënues, ku i kërkohej që të dorëzonte autorin e plagosjes, Ramadan Zoton njohur edhe me mbiemrin Canaj.

Mesazh që mesa duket i vinte njerëz pranë personave të dëmtuar me armë në lokalin ‘Kozi Bistro’.

Mesazhi:
‘Dorëzo Ramadan Canajn, në të kundërt do të të vrasim ty dhe familjarët e t’u…’
Vetë Klaus Jaçaj u arrestua nga policia e Sarandës më datë 24 Korrik, një javë pasi kishte marrë pjesë në përplasjen me armë në lokalin ‘Kozi Bistro’ në qytet.
Ndërkohë që Artan Murtaj, kishte zgjedhur të dorëzohej në polici, më datë 19 Korrik 2025, dy ditë pas ngjarjes së ndodhur në lokal.
Ku po këtë ditë ndaj tij duke qenë se kishte shkaqe të bazuara për të menduar se kishte rrezik largimi, ndaj tij u procedua me urdhër ndalimi.

Policia e Sarandës:
Nga ana e policisë gjyqësore, në orën 23:30, të datës 19 Korrik 2025, u ekzekutua urdhri i ndalimit të prokurorit ndaj Artan Murtaj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Moskallëzimi i krimit’ dhe ‘Përkrahja e autorit të krimit’. Ku nga provat e marra ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se Artan Murtaj dhe Klaus Jaçaj kanë ndihmuar autorët e dyshuar të kryerjes së veprës penale, për largimin dhe fshehjen e tyre me qëllim shmangien e tyre nga organet e hetimit dhe policisë.
Por të dhënat tregojnë se Klaus Jaçaj jo vetëm ishte i pranishëm në lokalin ‘Kozi Bistro’ për të shoqëruar Ramadan Zoton në qëllimin e tij, por e ndihmoi këtë të fundit, si autorin e plagosjes, edhe të fshihej në shtëpinë e tij.

Ndërsa më pas i mundësoi atij largimin drejt Korçës.
Të dhëna të cilat mesa i duket i dispononte edhe grupi kundërshtar i përfshirë në përplasje.
Të cilët pasi i hodhën Klaus Jaçaj makinën në erë, nuk u ndalën këtu.
Por disa muaj më pas dyshohet se ekzekutuan nëpërmjet një eleminimi të tipit mafioz, me anë të vendosjes së një sasie tritoli në makinë edhe babain e tij, Isuf Jaçaj.
Ngjarje kjo e ndodhur më 5 Tetor 2025.
Isuf Jaçaj, i cili vitet e fundit punonte në sektorin e turizmit, duke transportuar me skaf turistë drejt destinacioneve të ndryshme në bregdetin e Sarandës.

Eleminimi i Isuf Jaçaj:
Natën e 5 tetorit, në një nga rrugët e Sarandës, një makinë u përfshi nga flakët dhe brenda saj, një burrë mbeti i bllokuar. Ai ishte babai i Klaus Jaçajt, 58-vjeçari Isuf Jaçaj, i cili nuk arriti të mbijetojë. Një shpërthim me eksploziv që i mori jetën në çast. Ekspertët konfirmuan se bëhej fjalë për një sasi të konsiderueshme tritoli të vendosur poshtë makinës. Një atentat i planifikuar me kujdes, që synonte eliminimin e menjëhershëm të tij.
Hakmarrje e cila duket se ishte vetëm fillimi i ngritjes së një sipari të përgjakshëm që nuk do të përfundonte këtu.
Por do të vazhdonte edhe më tej.

Pasi një muaj nga ekzekutimi mizor që i mori jetën Isuf Jaçaj, babait të Klaus Jaçaj, persona edhe këta të paidentifikuar i vendosën zjarrit lokalit ‘Bumble Bee’ në Ksamil, që rezultoi të ishte në pronësi të Ramadan Zotos.
Lokal që u shkrumbua plotësisht.
Ndërkohë që vëllai i tij Erjon Canaj, vazhdonte të ishte në arrati, që nga përplasja me armë që kishte ndodhur në lokal më datë 17 Korrik 2025.

Djegia e lokalit
Natën e 29 nëntorit 2025, lokali prej druri i quajtur ‘Bumble Bee’ në Ksamil, në pronësi të Ramadan Zotos (Canes), u dogj plotësisht nga zjarri. Ka dyshime të forta se zjarri ishte i qëllimshëm dhe ishte një mesazh për Ramadan Canen, i cili tashmë ishte në burg.
Ramadan Zoto që siç thamë në regjistrat e policisë greke mbante 7 emra, 6 atësi dhe 10 mbiemra.
Por që njëkohësisht mbante edhe një Cv të pasur, të hershme kriminale.
Kartelë e pasur kriminale që datonte që në vitin 2005.
Koha kur në Athinë thuhet se në prill të këtij vitit, i ashtëquajturi ‘Cania i Sarandës’ kishte ekzekutuar 51-vjecarin Pushkin Kuspa, për arsye hakmarrje.
Ndërkohë që tri vite më pas në 31 janar të vitit 2008, gjatë ndjekjes për t’u arrestuar ai kishte shkëmbyer zjarr me policinë greke dhe u arrit të arrestohej një muaj më pas, në fund të muajit shkurtit të këtij viti.

Ramadan Zoto rezulton me precedentë edhe për grabitje me armë në Greqi.
Pas daljes nga burgu, në maj të vitit 2019 ai u tentua të ndalohej nga policia greke në rrugën ‘Patisia’ në Athinë teksa drejtonte një mjet ‘Smart’. Por Zoto u largua duke i dhënë gaz mjetit deri sa u përplas. Më tej ai u ndoq dhe u arrestua bashkë më një shqiptar tjetër. Ku policia i gjeti një pistoletë, një thikë dhe 5 gram kokainë.
Mjeti, i cili mbante targa false, rezultoi i vjedhur në 11 tetor 2018 në Notia Proastia.
Ndërkohë që në kërkim u shpall edhe Erjon Canaj, 35 vjeç, vëllai i tij.
Një histori e gjatë krimesh që duket se e ndjek Ramadan Zoton edhe gjatë kthimit në Sarandë.
Ku ai përfshihet në disa ngjarje të ndryshme.
Fillimisht në dhjetor të vitit 2022, ku u akuzua për dhunimin e rojës së spitalit të Sarandës.
Ndërsa në shkurt të vitit 2024 u arrestua në banesën e tij me 2 pistoleta, por u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës më 29 prill 2025.
Deri në përfshirjen e tij si protagonist kryesor në ngjarjen e datës 17 Korrik 2025.
Ku kreu plagosjen e dyfishtë me armë të shtetasve Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama.
Edhe këta të fundit sipas policisë pjesë një grupi të rrezikshëm kriminal.
Të cilët do e tregonin ashpërsinë deri në elemiminimin e fundit të kryer.
Atë të Artan Murtaj.
I njohur ndryshe si ‘Tani i Ruzhdiut’.

Murtaj i cili u ekzekutua më 20 shtator 2026, në qytetin e Sarandës.
Dhe që besohet se ishte pjesë e rëndësishme e grupit të Ramazan Zotos alias Ramadan Canaj, i njohur si Cania i Sarandës.
I konsideruar nga policia si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe me precedentë të theksuar kriminalë.
Ngjarje kriminale të cilat nisën fillimisht me përplasjen me armë më 17 Korrik 2025.
Ku Ramadan Zoto qëlloi dhe plagosi dy shtetasit Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama.
Por që nga këtu besohet se nisi edhe goditja e grupit të Ramadan Canit.
Me atentate dhe eliminime të shumta, të cilat gjasat janë që të mos ndalen këtu.

Por që policia dyshon se goditja vjen nga një grup i fuqishëm kriminal me vendndodhje në Tiranë.
Grafikë
Dosja Hetimore
Një nga pistat e policisë është se goditja e grupit të Canes vjen nga Tirana. Ku dyshohet për një personazh me precedentë penalë, i cili është fuqizuar vitet e fundit, madje për nga fuqia ekonomike, lidhjet dhe ashpërsia goditëse, organet ligjzbatuese besojnë se ka tejkaluar edhe Vis Martinajn, i zhdukur në gusht 2022.
Por edhe pse duket sikur ka rënë në një qetësi post stinore turizmi, Saranda sërish mbetet një qytet i trazuar.
Ku herëpasherë interesat apo pazaret e prishura midis bandave në qytet, apo atyre që vijnë nga jashtë, na kujtojnë se sa e brishtë është paqja në këtë zonë të Shqipërisë.
Paqe e cila duket se ka humbur përgjithmonë, dhe kjo prishje qetësie tani ka nxjerrë në sipërfaqe edhe vetë përplasjet e nëndheshme që ndodhin në këtë qytet.
Qytet që do ta ketë të vështirë të marrë veten sa kohë krimi është më i fuqishëm dhe i organizuar se edhe vetë shteti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb