Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur shqetësimin për shpopullimin e Shqipërisë, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama se politikat e saj kanë ndikuar në largimin masiv të qytetarëve nga vendi.
Përmes një reagimi publik, Bardhi deklaron se Shqipëria renditet e dyta pas Ukrainës, një vend në luftë, për rënien e numrit të popullsisë, duke e cilësuar këtë situatë si pasojën më të rëndë të 14 viteve të qeverisjes së Ramës. “Shpopullimi është pasoja më e rëndë e keqqeverisjes 14-vjeçare të Edi Ramës!”, shprehet Bardhi.
Sipas deputetit demokrat, largimi i vazhdueshëm i të rinjve dhe familjeve shqiptare është tregues i mungesës së perspektivës dhe mundësive për të ndërtuar një të ardhme në vend. “Një vend që humbet çdo ditë të rinjtë, familjet dhe shpresën për të ardhmen, është një vend që po paguan çmimin e politikave të gabuara”, thekson ai.
Në përfundim të reagimit, Bardhi nënvizon nevojën për zhvillim ekonomik dhe krijimin e mundësive që qytetarët të jetojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. “Shqipëria ka nevojë për shpresë, zhvillim dhe mundësi për të jetuar e ndërtuar të ardhmen në vendin e vet!”, përfundon kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.
