Një incident i rrezikshëm kimik është regjistruar në një fabrikë në qytetin Râmnicu Vâlcea të Rumanisë, ku rrjedhja e klorit ka shkaktuar helmimin e dyshuar të pesë personave, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në kompleksin industrial të fabrikës kimike “Cimcomplex”, ku u konstatua një rrjedhje e gazit toksik nga kompresori i impiantit të elektrolizës me membranë.

Tre personat e parë që kërkuan ndihmë mjekësore ishin një grua dhe dy burra. Gjendja e gruas paraqitej më shqetësuese, pasi ajo kishte vështirësi në frymëmarrje, dhimbje gjoksi dhe kollë. Pas trajtimit fillestar në urgjencë, ajo u shtrua në repartin e kujdesit intensiv. Dy personat e tjerë u sistemuan në repartin e mjekësisë së brendshme.

Ndërkohë, më vonë edhe dy punonjës të tjerë, një burrë dhe një grua, u paraqitën në spital me simptoma të ekspozimit ndaj klorit. Ata morën kujdesin e nevojshëm mjekësor, ndërsa njëri prej tyre u mbajt nën monitorim.

Alarmi për incidentin u dha rreth orës 08:00, duke mobilizuar ekipet e emergjencave, specialistët për aksidentet kimike dhe forcat e policisë.

Për të shmangur rrezikun për banorët dhe personat që ndodheshin pranë zonës industriale, autoritetet vendosën një perimetër sigurie prej katër kilometrash. Si masë paraprake, u bë edhe evakuimi i punonjësve të kompleksit industrial.