
Nga Minxin Pei
Gjatë gjashtë viteve të ardhshme, Xi Jinping, sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste Kineze, i cili njëkohësisht shërben edhe si president i vendit (një post kryesisht simbolik, që përfaqëson Kinën në marrëdhëniet me jashtë), do të duhet të marrë dy vendime me rëndësi historike. Zgjedhjet e tij në secilën prej këtyre pikave kyçe jo vetëm që do të përcaktojnë jetëgjatësinë e trashëgimisë së tij politike dhe stabilitetin e regjimit nominalisht komunist të vendit, por do të kenë edhe pasoja ekonomike dhe politike në mbarë botën.
Vendimi i parë, dhe më i menjëhershmi, është nëse do të nisë procesin e përcaktimit të pasardhësit. Veprimi më i mundshëm i Xi-së është ta shtyjë këtë proces. Kur Kongresi i ardhshëm i Partisë të mblidhet në vitin 2027, atij do t’i mjaftojë të përdorë të njëjtën strategji që i siguroi mandatin e tij të tretë pesëvjeçar, të paprecedentë, për të shmangur një ndryshim të mundshëm të udhëheqjes.
Teknikisht, kjo do të nënkuptonte mbushjen e Komitetit të Përhershëm prej shtatë anëtarësh, rruga tradicionale drejt postit më të lartë në vend, me kuadro që deri në Kongresin pasardhës, në vitin 2032, do të konsideroheshin tepër të moshuar për të zënë vendin e Xi-së. (Xi ishte 59 vjeç kur u bë udhëheqës i partisë, po aq sa edhe paraardhësi i tij.)
Duke e vonuar procesin e përcaktimit të pasardhësit, Xi mund të shmangë shndërrimin në një udhëheqës në largim, me autoritet të dobësuar, dhe t’i mbajë të hapura të gjitha mundësitë. Duke pasur parasysh dominimin e tij të plotë mbi partinë, manovra të tilla vështirë se do të ndeshnin kundërshtim të hapur.
Vendimi i dytë, të cilin Xi do të duhet ta marrë përpara Kongresit të Partisë në vitin 2032, do të jetë shumë më i vështirë. Në atë kohë ai do t’i afrohet moshës 80-vjeçare dhe shëndeti i tij, si edhe bilanci i dy dekadave në pushtet, do të jenë nën një vëzhgim shumë më të imtësishëm.
Një ndjenjë tashmë e dukshme e “lodhjes nga Xi”, pra perceptimi se udhëheqësi kinez e ka zgjatur më shumë seç duhet qëndrimin në pushtet, do të jetë përhapur gjerësisht. Në këto rrethana, udhëheqësi kinez do të duhet të zgjedhë mes dy alternativave po aq të pakëndshme: të mbajë të gjitha postet e tij ose të tërhiqet nga drejtimi i partisë dhe ta zëvendësojë veten me një udhëheqës më të ri, të cilin mund të mos e njohë mirë ose të mos ketë besim të mjaftueshëm tek ai.
Edhe pse autokratët në moshë të thyer mund t’i drejtohen sundimit përmes frikës për të qëndruar në pushtet, ata duhet të peshojnë kompromiset e vështira mes kapjes pas pushtetit me çdo kusht dhe ruajtjes së trashëgimisë së tyre. Pak regjime arrijnë ta transferojnë pushtetin në mënyrë paqësore, sepse sundimtarët e tyre jetojnë me frikën se pasardhësit, edhe kur janë zgjedhur prej tyre, mund të grumbullojnë tepër pushtet dhe të komplotojnë kundër tyre. Për shumicën e udhëheqësve autoritarë, zgjidhja më e thjeshtë është të mos kenë fare një pasardhës të përcaktuar.

Mao, i cili ende vështron Qytetin e Ndaluar, nuk arriti të caktonte një pasardhës, duke vënë në rrezik trashëgiminë e tij
Josif Stalini, diktatori i ndjerë sovjetik, nuk kishte pasardhës. Edhe Mao Ce Duni, i cili spastroi dy pasardhës gjatë Revolucionit Kulturor (1966–1976), vdiq në pushtet pa një zëvendësues të qartë. Stalini dhe Mao përfituan personalisht nga sundimi pa afat të përcaktuar, duke e mbajtur pushtetin deri në vdekje. Por kjo zgjedhje nuk është pa kosto.
Së pari, koha dhe energjia e nevojshme për të drejtuar një burokraci të stërmadhe shtetërore mund të rëndojnë rëndë shëndetin tashmë të brishtë të një autokrati të moshuar dhe të përshpejtojnë rënien e tij fizike. Edhe më e rëndësishme është se vdekja pa një pasardhës të besuar rrezikon të minojë stabilitetin e regjimit dhe trashëgiminë politike të sundimtarit.
Vdekja e Stalinit në vitin 1953 shkaktoi menjëherë një luftë të ashpër për pushtet. Fituesi përfundimtar, Nikita Hrushovi, do ta denonconte sundimin despotik të paraardhësit të tij në një fjalim që zgjati disa orë, në një kongres partie tre vjet më vonë, dhe pak kohë pas kësaj do të niste fushatën e destalinizimit.
Në rastin e Maos, çështja e pasardhësit u zgjidh vetëm përmes një grushti shteti të mbështetur nga ushtria, katër javë pas vdekjes së tij, në shtator të vitit 1976. Udhëheqësi dhe fituesi i grushtit të shtetit, Hua Guofeng, nuk kishte autoritetin dhe peshën politike të nevojshme dhe, më pak se dy vjet më vonë, humbi luftën për pushtet kundër Deng Xiaoping.
I bindur se mund të fitonte mbështetjen e popullit duke përmirësuar kushtet e jetesës së kinezëve, Deng nisi programin e “Reformës dhe Hapjes”, i cili do të fshinte pjesën më të madhe të trashëgimisë së Maos, përfshirë kolektivizimin e bujqësisë dhe izolimin ekonomik të vetëimponuar.
Një autokrat që i jep përparësi mbrojtjes së trashëgimisë së tij politike kundrejt vazhdimit të qëndrimit në pushtet duhet ta konsiderojë më tërheqës një proces pasardhësie të planifikuar me kujdes sesa një ndërrim të trazuar dhe të improvizuar të udhëheqjes. Natyrisht, realizimi i një tranzicioni pa probleme nuk është i lehtë në asnjë regjim autoritar.
Përzgjedhja e një pasardhësi kompetent, i cili njëkohësisht ndan të njëjtin orientim ideologjik me vizionin e udhëheqësit, është një ndërthurje jashtëzakonisht e rrallë. Ajo kërkon një aftësi të jashtëzakonshme për të dalluar talentin mes një morie servilësh. Ndonjëherë, gjithçka varet nga fati.
Madje edhe Deng, një udhëheqës me dhunti të jashtëzakonshme, pati vështirësi të mëdha në menaxhimin e procesit të pasardhësisë së tij. Në vitet 1980, ai ishte i kënaqur të ushtronte pushtetin nga prapaskena, duke hequr dorë nga të gjitha titujt, përveç atij që kishte vërtet rëndësi: kryetarit të Komisionit Qendror Ushtarak, një post i barasvlershëm me atë të komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura.

Xi bën betimin presidencial në vitin 2018
Ai ua delegoi drejtimin e përditshëm të qeverisë dy reformatorëve të talentuar, Hu Yaobang dhe Zhao Ziyang, të cilët fillimisht i konsideronte si pasardhësit e tij të mundshëm. Megjithëse të dy e ndihmuan Dengun të vinte në lëvizje programin e modernizimit, ai nuk mundi t’i toleronte prirjet e tyre liberale dhe më vonë i shkarkoi të dy.
As Jiang Zemin, kandidati i kompromisit që Dengu dhe konservatorët e partisë zgjodhën për të zëvendësuar Zhao-n gjatë krizës së Tiananmenit, nuk ishte zgjedhja ideale. Si teknokrat, ashtu edhe oportunist politik, Jiang i mbajti të hapura të gjitha mundësitë pasi mori drejtimin e partisë në vitin 1989. Në fillim të vitit 1992, Dengu ishte aq i pakënaqur me qëndrimin e pavendosur të Jiang-ut, saqë, sipas raportimeve, dëshironte ta shkarkonte. Vetëm ndërhyrja e pretenduar e një veterani të revolucionit i shpëtoi postin Jiang-ut.
Për fatin e Dengut, përvoja e Jiang-ut, i cili i shpëtoi për pak shkarkimit politik, e ktheu atë në një përkrahës të vendosur të ideve të Dengut: dikë që ishte plotësisht i bindur se Kina mund të modernizohej vetëm përmes ndërthurjes së kapitalizmit me sundimin njëpartiak. Duke mos pasur besim te aftësitë ekonomike të Jiang-ut, Dengu promovoi Zhu Rongji-n, një teknokrat vërtet të talentuar, për të marrë rolin e drejtuesit kryesor të politikës ekonomike të Kinës në kongresin vendimtar të partisë, në vjeshtën e vitit 1992.
Shqetësimet se Jiang mund të refuzonte të largohej nga pushteti pas dy mandatesh e shtynë Dengun të bënte diçka që asnjë udhëheqës tjetër i fuqishëm kinez nuk e kishte bërë më parë dhe as nuk e ka bërë që atëherë: të caktonte një pasardhës për pasardhësin e tij. Promovimi i Hu Jintaos në vitin 1992, atëherë një 49-vjeçar energjik me një karrierë ende të kufizuar, ishte një bast i guximshëm që në fund rezultoi i suksesshëm.
Gjatë dy dekadave që pasuan (1992–2012), Jiang, Zhu dhe Hu zbatuan me besnikëri strategjinë e modernizimit autoritar të Dengut. Ekonomia kineze përjetoi një bum, kryesisht falë shpërthimit të sipërmarrjes private, ndërkohë që sundimi njëpartiak u ruajt.
I njohur me historinë e Partisë Komuniste Kineze (PKK) dhe të ish-Bashkimit Sovjetik, Xi duhet të jetë i vetëdijshëm për kompromiset që përfshijnë dy modelet e pasardhësisë në një regjim komunist. Në terma krahasues, Dengu ia doli dukshëm më mirë se Stalini apo Mao. Gjatë gjithë sundimit të tij, ai e ushtroi pushtetin në mënyrë të tërthortë, duke ndërhyrë vetëm kur pasardhësit e tij devijonin nga drejtimi strategjik që kishte përcaktuar.
Xi bën betimin presidencial në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, në vitin 2023
Kjo mund t’i ketë mundësuar gjithashtu të jetonte më gjatë. (Dengu vdiq në vitin 1997, në moshën 93-vjeçare; Stalini vdiq në moshën 74-vjeçare, ndërsa Mao në moshën 82-vjeçare.) Në mënyrë paradoksale, duke hequr dorë nga pushteti ekzekutiv, Dengu ruajti ndikimin deri në fund të jetës, pasi arriti përfundimisht të gjente pasardhës mjaftueshëm kompetentë për të vijuar politikat e tij.
Megjithatë, nga këndvështrimi i Xi-së, modeli i Dengut nuk duket të jetë tërheqës. Së pari, gjithçka u vendos në një moment kritik: po të mos ishte kërcënuar me shkarkim në vitin 1992, Jiang me shumë gjasë do të ishte shndërruar në një tjetër burokrat partie që synonte thjesht të ruante postin dhe do të kishte bërë pak për të çuar përpara programin e Dengut pas vdekjes së këtij të fundit. Përzgjedhja e Hu-së si pasardhës i Jiang-ut ishte një lëvizje mjeshtërore makiaveliste, por njëkohësisht edhe një bast i dëshpëruar, sepse Dengu dinte shumë pak për talentin dhe aftësitë drejtuese të Hu-së.
Edhe më sfidues për Xi-në është fakti se modeli i Dengut do t’i kërkonte atij të identifikonte herët një pasardhës të talentuar dhe t’i delegonte atij pushtet të mjaftueshëm ekzekutiv, në mënyrë që ta përgatiste për marrjen e ardhshme të drejtimit. Për më tepër, sapo emërohet një pasardhës i qartë, nis numërimi mbrapsht për largimin e Xi-së nga pushteti.
Edhe sikur Xi të ishte i gatshëm ta ndiqte këtë model, zgjedhja sot e një pasardhësi të besueshëm nën moshën 55 vjeç (në mënyrë që ai të mund të marrë drejtimin në vitin 2032) do të ishte e vështirë. Meqenëse partia vendos më pak kufizime për marrëdhëniet shoqërore mes zyrtarëve vendorë sesa mes drejtuesve të lartë, udhëheqësit kryesorë kinezë krijojnë lidhje miqësie dhe besimi kur shërbejnë në pozicione të nivelit të mesëm në qytete dhe provinca.
Një shembull konkret janë anëtarët e rrethit të ngushtë të Xi-së, ku përfshihen Li Qiang, kryeministri; Cai Qi, shefi i kabinetit të tij; dhe He Lifeng, zëvendëskryeministri përgjegjës për tregtinë e jashtme dhe financat. Të tre kishin qenë vartës të drejtpërdrejtë të tij gjatë viteve kur ai shërbente në poste drejtuese në provincat Fujian dhe Zhejiang.

Deng — i përkujtuar këtu në një mural në Shenzhen — zgjodhi pasardhës tek të cilët mund të kishte besim se do t’i thellonin politikat e tij
Por pasi Xi u promovua në Komitetin e Përhershëm në vitin 2007, duke hyrë kështu në rrugën drejt zëvendësimit të Hu-së, mundësitë për të krijuar lidhje me zyrtarë të nivelit të mesëm ose me kolegë të tjerë në ambiente më të çliruara shoqërore, si darkat apo daljet për karaoke, u pakësuan ndjeshëm.
Pasi u vendos në mënyrë të qëndrueshme në Pekin, çlirimi nga protokollet e ngurta që dominojnë çdo ndërveprim zyrtar brenda PKK-së do të ishte i vështirë. Kjo do ta ndërlikonte detyrën e tij për të vlerësuar besnikërinë e shumicës së vartësve të rinj.
Edhe nëse gjatë viteve të ardhshme identifikon kandidatin e përsosur për pasardhës, Xi do të përballet me sfidën që u është e njohur të gjithë udhëheqësve autoritarë: sa pushtet duhet t’i delegojë atij. Ndryshe nga Dengu, Xi parapëlqen të kontrollojë në hollësi çdo çështje, siç dëshmohet nga vendimi i tij për të kryesuar jo më pak se shtatë komisione qendrore të specializuara dhe grupe që hartojnë politikat shtetërore.
Duke gjykuar nga manovrat e deritanishme politike të Xi-së, veçanërisht nga suksesi i tij për të mbajtur udhëheqësit shumë më të rinj jashtë rrethit më të ngushtë të pushtetit të PKK-së, ai duket se ka sinjalizuar preferencën për modelin Stalin-Mao: një proces pasardhësie pa pasardhës të përcaktuar.
Kjo do të thotë se Xi nuk do të ketë asnjë dishepull të besuar që të mbrojë dhe të zgjerojë trashëgiminë e tij politike. Mund të imagjinohet një skenar i ngjashëm me atë që u zhvillua pas vdekjes së Maos: qindra apo mijëra viktima të spastrimeve të Xi-së do të rehabilitoheshin politikisht, politikat e tij ekonomike me rol dominues të shtetit do të përmbyseshin dhe kulti i personalitetit të tij do të shpërbëhej në heshtje.
Në mendjen e Xi-së, ky është një rrezik që ia vlen të merret përsipër. Udhëheqësit autoritarë besojnë se garancia e qëndrimit në pushtet pa afat të përcaktuar ka shumë më tepër vlerë sesa premtimi për lavdi të përjetshme. Prandaj, kur largohen nga kjo botë, rrallëkush i ndien mungesën.
Minxin Pei është profesor i shkencave politike në Claremont McKenna College. Libri i tij më i fundit titullohet The Broken China Dream: How Reform Revived Totalitarianism (Ëndrra e thyer kineze: Si e ringjalli reforma totalitarizmin). Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë të tijat dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e Bloomberg Businessweek apo të pronarit të saj, Bloomberg LP.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg