Me zgjedhjet vendore tashmë të shpallura, ka nisur edhe artikulimi i ideve të ndryshme, jashtë spektrit politik. Në Shkodër, Romeo Gurakuqi, pedagog dhe ish- deputet i PD- së, ka hedhur idenë e tij për “Lista Vllaznia”, si një mundësi për të garuar dhe marrë qeverisjen e bashkisë, jashtë spektrit tradicional politik. Idenë e tij, Gurakuqi e ka shprehur në një status të gjatë në rrjetet e tij sociale.
“Zgjedhjet bashkiake janë tanima në prag dhe si çdo herë tjetër, ndërkohë që prej dy zyrave në Tiranë, vrapohet me përcaktue formatet e luogotenentëve të tyne për Shkodrën, Shkodra vetë ndodhet në pritje të verdikteve të Zotave për qytetin dhe krahinën (e pamendueshme në nji kohë).
Edhe mbas kaq shumë dështimesh të dukshme dhe të përsërituna në ndërtimin e nji programi të thjeshtë ripërtëritës, zhvillimor për kryeqendren e Labiatisë; edhe mbas sa e sa këshillave bashkiakë jo përfaqësues dhe inkompetentë; edhe mbas furisë së uraganit të popullit të varfnuem e dhunuem shqiptar, për ndryshim sistemi, për demokratizim të matejshëm, për administrim profesional dhe të pakorruptuem, për rivendosjen e drejtimit mbi dije, arsimim të vertetuem e meritokraci, jo vetëm politika nuk ka xanë mend (dhe se ka ndermend aspak këtë), por edhe vetë shkodranet, të shpërndamë gjithandej ndër fatet e jetës dhe mbijetesës, duken indiferentë, të dorëzuem dhe në pritje të verdikteve që do jepen pas pak (Paria kishte vu edhe afat mbasi ka ngut të madh me krye emnimet sot, se nesër mund të jetë vonë për ata), për të gjysmëshkolluemit e radhës me kronologji edukimi inkoherente, ata që do bajnë përkuljen ma të madhe bindëse, përuljen fundore, betimin për besnikërinë e përjetshme për dërgimin e rregullt të copave të urave, kateve, rrugëve dhe trotuarëve të Shkodrës në kryeqendër.
Ndërkohë që qyteti duket i dorëzuem, nëpër kafe, rrugica e qoshe pallatesh, ka fillue me të drejtë ngrehalucjave e kambëshpejtëve. Asht ndërtue nji sistem i atillë që u krijon përshtypjen gjithkujt, se drejtimi i punëve ne qytet, përfaqësimi, administrimi, asht nji ofiq që u takon vetëm të mobilizuemve në aradhat e partive politike, askujt tjetër, mbasi ata kane sakrifikue me u fut në lamshin e përplasjeve mes ngaterestarëve, ose kanë hy me vetmohim të parët dhe pa çizme në kënetën e idiotësirave e mediokriteve; mbasi fatet tona i cakton vetem Partia, asnjiherë vetë qytetarët. Koha kur vendimarrja për qytetin dhe krahinën bahej në Shkodër nga të spikatunit për atdhedashuni, burrni e mençuri, ka mbarue. Asht koha gavroshave dhe qendrestarëve në theqafje, që lëvizin kuturu, me brryla. Kurkush jashtë organizimit kënetor të mediokritetit, besnikërisë ndaj Parisë, nuk mund të llogaritet se ekziston. Kështu kanë ardhë punët edhe ndër anët tona!
Ndërkohe, qindra profesionistë të shkëlqyeshëm shkodranë, nji brez i ri i urtë, i ditun, kryejne çdo çdo javë ritualin e lëvizjes për punë, nga Shkodra në Tiranë dhe kthim në fundjavë, në vendlindjen e dashtun, të cilës nuk mund t’ia kthejnë kurrë shpinën, edhe pse ajo (në fakt jo ajo, por aradha e bjerraditësve që kanë pasë në dorë fatet me e kthye Shkodren në nji vend të lulezuem të traditës, arsimit, shkencës, dijes, sportit, financave, tregtisë dhe rendit të paqtë të lanun amanet prej të parëve, por që kanë ba të kundërtën) i ka nxjerrë jashtë me prapambetjen e saj të gjithanshme, mungesën e rendit publik, pamundësinë e kontrollit qytetar mbi vendimarrjen etj. I shoh çdo javë në të njejtat orare në atë radhën e madhe të makinave që kthehen së bashku me mua ne Shkodren tonë. Po ashtu, shumë të tjerë, të njohun dhe të panjohun për mue, por fmijët brilantë të shkodranëve shkelqejnë kudo në Europë. Edhe ata e dojnë Shkodrën , paqen e saj në begati dhe vllazni të lanun amanet.
Pyetja që baj asht kjo: A nuk ka ardhë koha që, kësaj radhe zgjedhjesh, bashkiake dhe kombëtare, të kërkojmë e të identifikojmë ma të mirët ndër fëmijët tanë, ata që janë ma të dijshëm, ma të përgatitun e ma të aftë se ne, që për 36 vjet iu dorëzuem kotësisë dhe kenetës politike? A nuk duhet t’ua ofrojmë atyne mundësinë me marrë përgjegjësinë për drejtimin e qytetit dhe përfaqësimin në Këshillin Bashkiak?
A nuk asht koha me ua hapë rrugën atyne që kanë dije, integritet dhe vizion për të ardhmen e qytetit tonë?
Kena nji shembull që vjen nga Prishtina: pikasën, ia propozuen, e sollën dhe e votuen ndër më të mirët, Përparim Ramën, profesionist vizionar që ia ka ndërrue faqen kryeqytetit të Republikës së Kosovës.
A mundena në Shkodër, mbi këtë model bashkëkohor kosovar, të rindërtojmë atë traditën tonë, të pas 16 majit 1913 dhe të shkurtit 1919, kur mori udhën bashkëkohore vendosja e drejtimit bashkiak mbi disa kritere të forta të parësisë prej merite dhe jo prej turrit e vrapit me kapë?
Une mendoj që po, ne në Shkodër kësaj radhe mund të ndërtojmë: LISTËN VLLAZNIA, sipas mundësive ligjore të konkurimit, si e veçantë, ose e atashuar asaj force politike progresiste, shekullare, që e pranon kriterin e parësisë në përfaqësim, bazue në indikatorë përformance individuale, pjekunisë jo politike dhe besnikerisë ndaj sferës publike dhe komunitare.
Për hir të së vërtetës, emërtimin dhe idenë e ka ofruar nji prej shkrimtarëve të qytetit, Stefan Çapaliku, por unë po e ndjej të nevojshme me e njoftue publikisht sot, këto ditë kur rrezikojme me e lëshue fatin bashkiak sërish ndër duar të pandjeshme, si nji thirrje për të gjithë: boll ma me eksperimente, delegime besnikërishë dhe caktime mbi përllogaritje meskine.
Të drejtat komunitare shkodrane, sikurse për cdo bashkësi tjetër janë të atilla, që nuk mund të tjetërsohen, as të pilotohen, as të kontrollohen dhe aq ma pak të merren peng.
Vetë pilotimi i përfaqësisë në një bashkësi, rendja e të mobilizuarve në Tiranë nepër seli me kërkue emnim, asht nji akt, jo vetem antikushtetues dhe kundër komunitetit, por poshtërim i papranueshëm, që nuk mund të tolerohet edhe ma tej në anët tona.
Thirrja ime asht për profesionistët e spikatun, inxhinierët, arkitektët, ekonomistët, mjekët e shquar të qytetit, njerëzit e dijes, pa dallim bindjesh politike, kudo ndodhen: të japim kontributin në rindertimin Listës Vllaznia, për mos me e lanë fatin e Shkodrës rastësisë së duarve dhe mendjeve që mendojne ndryshe, për strategjinë zhvillimore, për radhën e punëve të mbetuna peng, për rendin publik, për universitetin, sistemin shkollor, spitalet, investimet strategjike, Bregdetin Rrjoll- Velipojë, Liqenin, Lumejtë dhe Alpet tona, për pronën private dhe ate komunitare, qytetin e Idromemos apo ate të kullave të pastrimit etc. Thirrja e dytë asht për ata që janë mësue me krye pilotime në qytetin tonë: Mjaft!”, shkruan nga Londra, pikërisht sot, me 13 dhjetor 2026.
Ideja e Romeo Gurakuqit, është mbështetur publikisht nga shkrimtari dhe regjisori shkodran, Stefan Çapaliku, të cilit ia ka cituar emrin në publikimin e tij dhe ish- deputeti. Edhe Çapaliku ka reguar përmes një publikimi në rrjetet e tij sociale.
“‘Istoria maestra vitae’ (Historia mësuesja e jetës), kanë thanë latinët. Për fatin tonë të mirë trashigimia austro-hungareze e vitit 1919 në themelimin e Shoqnisë „Vllaznia” vjen dhe nxjerr krye ma e domosdoshme se kurrë mbas ma shumë se 100 vjetësh. Ideja e krijimit të një liste civica (qytetase) për të marrë në administrim qytetin e Shkodrës në zgjedhjet e ardhshme lokale, bahet përditë dhe ma e bindshme. Mbas dështimeve të sistemit politik postkomunist në miradministrimin e qytetit, “Lista Vllaznia” e përbame prej zonjash dhe zotnishë të sprovuem në ndershmëni dhe profesionalizëm kishte me qenë e vetmja që kishte me pasë tagrin për me kërkue votëbesim në popull.”, shkruan Çapaliku.
Në ditët në vijim, pritet të shihet nëse “Lista Vllaznia”, tashmë e ideuar dhe shpalosur nga 2 intelektualë të Shkodrës, do të përkrahet publikisht nga emra të tjerë të njohur shkodranë dhe a do të kristalizohet nga ide në projekt konkret për ndryshimin e qeverisjes së Shkodrës. Me gjasë, tek ata me të drejtë vote, ngjallë ndjeshmëri pa tjetër, të paktën tek tifozat e Vllaznisë, po! Sepse ka emrin e njërit prej simboleve më të rëndësishme të qytetit që u krijua në vitin e largët 1919. /ShkodraWeb/




