Stacioni hekurudhor që do t’i shërbejë Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës do të ndërtohet rreth 500 metra larg terminalit, pas një ndryshimi të projektit fillestar të linjës Tiranë-Durrës-Rinas. Për lidhjen mes stacionit dhe aeroportit, Hekurudha Shqiptare ka parashikuar një shërbim të posaçëm transporti për pasagjerët.
Projekti fillestar, i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit në vitin 2021, parashikonte ndërtimin e stacionit rreth 60 metra larg terminalit. Në vitin 2023, Hekurudha Shqiptare, në atë kohë nën drejtimin e Ergys Verdhos, paraqiti dy alternativa për vendndodhjen e tij: brenda territorit të Forcave Ajrore ose përballë këtij territori, jashtë aeroportit.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në atë kohë e drejtuar nga Belinda Balluku, mbështeti alternativën e dytë. Në përgjigjen e zëvendësministrit Hantin Bonati argumentohej se ky opsion ishte më i përshtatshëm nga pikëpamja e sigurisë së lëvizjes së automjeteve në zonën aeroportuale dhe rrugore.
Me ndryshimin e projektit, stacioni do të përfundojë në kilometrin 5+128, ndërsa në variantin fillestar fundi i linjës ishte parashikuar në kilometrin 5+800. Ky ndryshim sjell shkurtimin e segmentit hekurudhor me rreth 672 metra.
Sipas Hekurudhës Shqiptare, shkurtimi i linjës do të mundësojë kursimin e fondeve, të cilat mund të përdoren për nevoja të tjera të institucionit. Për distancën që do të përshkojnë pasagjerët deri në terminal, institucioni ka propozuar një shërbim ekspres “shuttle-navetta”.
“Është gjatësi e pranueshme e lëvizjes së këmbësorëve, në rastin e udhëtarëve me karroca, invalidëve dhe me valixhe, do të kërkojë me patjetër një shërbim ekspres ‘shuttle-navetta’ që do të jetë nën shërbimin e operimit hekurudhor të pasagjerit, çështje relativisht e zgjidhshme duke parë që i njëjti parim ekziston edhe në shumë aeroporte të tjera evropiane”, thuhet në dokumentacionin e Hekurudhës Shqiptare.
Edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), bashkëfinancuese e projektit, është në dijeni të ndryshimit të vendndodhjes së stacionit. Në një përgjigje për Top Channel, banka bëri të ditur se po bashkëpunon me Hekurudhën Shqiptare dhe palët e tjera për të vlerësuar ndikimet e këtij ndryshimi dhe për të identifikuar zgjidhjen më të përshtatshme për transportin e pasagjerëve drejt terminalit.
“BERZH është në dijeni të zhvendosjes së stacionit hekurudhor që do t’i shërbejë Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. BERZH po bashkëpunon me Hekurudhën Shqiptare dhe palët e tjera për të vlerësuar ndikimet e këtij ndryshimi dhe për të identifikuar një zgjidhje të përshtatshme që garanton një lidhje të sigurt dhe efikase për pasagjerët midis stacionit hekurudhor dhe terminalit të aeroportit”, thuhet në përgjigjen e bankës.
BERZH thekson se është bashkëfinancuese e projektit, ndërsa vendimmarrja dhe përgjegjësia për zbatimin e tij u takojnë institucioneve shqiptare.
Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës është një investim me vlerë rreth 130 milionë euro, i financuar nga qeveria shqiptare dhe BERZH. Linja synon të lidhë kryeqytetin dhe Durrësin me aeroportin, me një kohë të parashikuar udhëtimi prej 22 minutash dhe shpejtësi deri në 120 kilometra në orë.
Përfundimi i projektit do të krijojë një alternativë të re transporti drejt Aeroportit të Rinasit, ndërsa shërbimi që do të lidhë stacionin me terminalin pritet të përcaktojë mënyrën se si pasagjerët do të përshkojnë distancën prej rreth 500 metrash.

