Diabeti është kërcënimi i heshtur i shëndetit të shqiptarëve. Një sëmundje që shpesh nis pa simptoma ose shfaqet në faza të vonshme, por shkakton komplikacione të rënda, të lidhura me problemet e zemrës dhe veshkave.
“Nga viti 2025, trajtohen 100 mijë persona me diabet, por gati 50 mijë të tjerë nuk e dinë që kanë diabet. Çdo vit shtohen nga 8 mijë deri në 10 mijë raste të reja. Këto shifra lidhen me plakjen e popullsisë, stresin dhe jetën sedentare”, u shpreh Florian Toti, shef i Shërbimit të Endokrinologjisë, QSUT.
Diabeti është rritur edhe tek fëmijët e moshës 1–18 vjeç, të cilët preken nga diabeti i tipit 1.
“20 për çdo 1000 fëmijë. Janë diku te 400 fëmijë me diabet të tipit 1”, tha Florian Toti.
Në kuadër të Ditës Botërore të Diabetit, shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë bën thirrje për diagnostikimin sa më të hershëm të kësaj sëmundjeje. Ndërsa drejtorja e QSUT-së tha se tashmë janë hequr edhe disa procedura që sorollasin pacientët me diabet.
“Pacientët vijnë në QSUT dhe i përmbyllin procedurat brenda ditës, pa kërkuar që të kthehen në qendrën e tyre shëndetësore”, u shpreh Rudina Degjoni, drejtoreshë e QSUT-së.
Vitin e ardhshëm pritet të rimbursohen sensorët e diabetit, të cilët mbajnë nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak tek fëmijët.
