Rezerva Natyrore Mai Po në Hong Kong ka rezultuar pozitive për virusin shumë patogjen të gripit të shpendëve H5.
Siç raporton gazeta South China Morning Post, një zëdhënës i Departamentit të Bujqësisë, Peshkimit dhe Ruajtjes së Natyrës (AFCD) tha se një ekip kërkimor nga Fakulteti i Shëndetit Publik i Universitetit të Hong Kongut konfirmoi rezultatet pozitive në dy mostra të mbledhura të mërkurën gjatë mbikëqyrjes rutinore.
“AFCD-ja po e monitoron nga afër gjendjen e shpendëve në rezervatin natyror Mai Po dhe ka vendosur njoftime për t’u kujtuar vizitorëve që të kenë kujdes për higjienën personale”, tha zëdhënësi.
Zëdhënësi bëri të ditur se janë shtuar aktivitetet e pastrimit dhe dezinfektimit në hapësirat për vizitorët, përfshirë strehimoret për vëzhgimin e shpendëve dhe një shteg lundrues mbi ujë.
Ai shtoi se nuk kishte ferma pulash brenda një rrezeje prej 3 kilometrash nga vendi ku ishin mbledhur mostrat.
Gjithashtu është shtuar mbikëqyrja për gripin e shpendëve, ndërsa fermat lokale të shpendëve dhe tregu i shitjes me shumicë po monitorohen nga afër.
Departamenti i Higjienës Ushqimore dhe Mjedisore bëri të ditur se do të monitorojë tezgat ku shiten shpendë të gjallë për të identifikuar rreziqet e mundshme nga virusi H5.










