Bulmet dhe mish të ekspozuar në mes të rrugës, pa kushte frigoriferike dhe nën temperaturat e ambientit. Kjo është panorama që gazetarët e Fiks Fare konstatuan gjatë një investigimi në tregjet ambulante dhe ato të ligjshme në Tiranë. Produkte që përfundojnë në tryezat e qytetarëve, por që ngrenë pikëpyetje serioze për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve.
Gazetarët e Fiks Fare dolën në terren për të parë nga afër se në çfarë kushtesh tregtohen produktet e bulmetit. Gjizë, djathë, gjalpë dhe qumësht që qëndrojnë për orë të tëra jashtë ambienteve frigoriferike, të ekspozuara ndaj temperaturave të ambientit. Një situatë që ngre pikëpyetjen se sa të sigurta janë këto produkte për qytetarët që i blejnë çdo ditë.
Por problematika nuk kufizohet vetëm në tregjet ambulante. Gjatë verifikimeve, gazetarët konstatuan të njëjtat problematika edhe në tregje të ligjshme, ku tregtarët paguajnë taksa dhe ushtrojnë aktivitetin në hapësira të përcaktuara. Edhe aty, produktet e bulmetit dhe mishit nuk ruheshin në kushtet e nevojshme.

Për të kuptuar se kush mban përgjegjësi për këtë situatë, Fiks Fare iu drejtua Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Por, në vend të një zgjidhjeje konkrete, gazetarët morën përgjigjen se kontrolli i kësaj problematike nuk ishte kompetencë e AKU-së, por e Policisë Bashkiake.
Pas këtij sqarimi, Fiksi iu drejtua Policisë Bashkiake, e cila pranoi të dilte në terren me gazetarët. Efektivët shpjeguan se kompetencat e tyre lidhen kryesisht me lirimin e hapësirave publike, ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe marrjen e masave administrative për zënien e paligjshme të këtyre hapësirave. Ndërsa për sigurinë ushqimore dhe kushtet e ruajtjes së produkteve, përgjegjësia i takon institucioneve të tjera.

Policia Bashkiake bëri me dije se prej kohësh kishte kërkuar bashkëpunimin e institucioneve përgjegjëse për sigurinë ushqimore dhe higjienën, por sipas saj, këto kërkesa kishin mbetur pa përgjigje.
Kështu, ndërsa një institucion ia kalon përgjegjësinë tjetrit, produktet vijojnë të tregtohen në kushte të papërshtatshme dhe konsumatorët mbeten të ekspozuar ndaj rreziqeve të mundshme shëndetësore.
Për të parë se çfarë ndodh konkretisht në terren dhe nëse do të ketë ndërhyrje, Fiks Fare u rikthye në tregje së bashku me Policinë Bashkiake. Një tjetër verifikim për të parë nëse institucionet do të mjaftohen me lirimin e hapësirave publike, apo do të ketë më në fund një reagim konkret për kushtet në të cilat qytetarëve u shiten produktet ushqimore.

Sepse, në fund të kësaj historie, përtej kompetencave dhe përgjegjësive që institucionet ia kalojnë njëra-tjetrës, është konsumatori ai që paguan për produktet dhe që duhet të ketë garanci se ushqimi që blen është i sigurt.













