Klosi: Asambleja e PS-së, diskutime për përzgjedhjen e kandidatëve në 46 bashki
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, konfirmoi nga studioja e emisionit “3D” në RTSH 1 HD se mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS-së do të ketë në fokus përgatitjet për zgjedhjet vendore, përfshirë nisjen e procesit për përzgjedhjen e kandidatëve në të 46 bashkitë e vendit.
Klosi tha se Partia Socialiste e konsideron veten tashmë në fushatë elektorale, pas përcaktimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës.
“Mbledhja e nesërme është me shumë dimensione, por kryesorja është përgatitja për fillimin e fushatës elektorale. Ne tani zyrtarisht jemi në fushatë elektorale pasi Presidenti ka përcaktuar datën 9 maj si ditën kur do të realizohen zgjedhjet. Në Partinë Socialiste është krejt normale dhe praktikë që prej kohësh e kemi filluar fushatën në këtë periudhë”, u shpreh Klosi.
Ai theksoi se PS-ja ndjek një model organizimi që nis menjëherë pas përfundimit të çdo procesi zgjedhor.
“Partia Socialiste e ka këtë praktikë që gjithmonë pas zgjedhjeve fillon përgatitja për zgjedhjet e tjera. Mblidhen shtabet, koordinatorët elektoralë, punohet me listat e zgjedhësve dhe me të gjithë sistemin tonë organizativ elektoral”, tha ai.
Sipas Klosit, gjatë vitit të fundit partia ka zhvilluar procese të rëndësishme riorganizimi, përfshirë zgjedhjet e brendshme dhe pranimin e anëtarëve të rinj.
“Hapëm partinë, bëmë procesin e zgjedhjeve të partisë, krijuam një proces anëtarësimesh të reja në Partinë Socialiste me një numër të konsiderueshëm të rinjsh që iu bashkuan partisë. Më pas filluam procesin e bashkëbisedimit me qytetarët dhe transparencës ndaj tyre”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PS-së.
Sipas tij, një nga çështjet kryesore që do të diskutohet në Asamble lidhet me zgjedhjet për Këshillat Bashkiakë dhe hapjen e procesit për kandidaturat.
“Do të kërkojmë nga Asambleja të fillojmë një proces të hapur diskutimi për të pasur mundësi jo vetëm të zgjedhim përfaqësuesit që Partia Socialiste do të ofrojë nëpër qytete, por edhe të krijojmë platformën për këshillat bashkiakë”, tha Klosi.
Ai bëri të ditur se do të hapet një platformë ku mund të aplikojnë të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në qeverisjen vendore.
“Do të hapim një platformë e cila do të kërkojë regjistrimin e të gjithë atyre që duan të japin kontribut në këshillat bashkiakë. Duan të përfaqësojnë qytetin, krahinën apo bashkinë e tyre dhe të kemi mundësinë të marrim jo vetëm prurjet nga strukturat tona, por edhe nga shoqëria civile dhe njerëz që duan të kontribuojnë”, u shpreh ai.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, për shkak të konkurrencës së fortë që pritet në zgjedhjet e ardhshme vendore, përzgjedhja e kandidatëve do të jetë një proces me rëndësi të veçantë.
“Do të jetë një garë e fortë që pa dyshim kërkon një përgatitje dhe një përzgjedhje shumë të mirë të kandidatëve që do ta zhvillojnë atë garë”, përfundoi Klosi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



