Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Shthurje, qëndrime natën dhe dyshime për ngacmim seksual/ Babai denoncon situatën alarmante me vajzat në Vlorë

21:16, 13/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një histori familjare e rënduar nga konfliktet, ndarja e prindërve dhe akuzat e ndërsjella për dhunë e ka çuar një familje nga fshati Bestrovë i Vlorës në një situatë alarmante.

Një 40-vjeçar iu drejtua redaksisë së Piranjave, duke kërkuar ndihmë për gjendjen në të cilën ndodhen katër fëmijët e tij, veçanërisht dy vajzat e mitura, 14 dhe 12 vjeçe. Burri rrëfen se pas rreth 18 vitesh martesë, marrëdhënia me bashkëshorten u përkeqësua, pasi ai pretendon se zbuloi një tradhti bashkëshortore. Sipas tij, konfliktet mes çiftit u shoqëruan me episode të përsëritura dhune, kërcënime dhe përplasje, të cilat kulmuan me largimin e tij nga banesa.

Por, ndërsa marrëdhënia mes prindërve u shkatërrua, në mes të konfliktit mbetën katër fëmijët e tyre. Haruni pretendon se dy vajzat e mëdha kanë dalë jashtë kontrollit prindëror, duke kaluar netët jashtë shtëpisë, duke konsumuar cigare dhe duke frekuentuar ambiente që  përbëjnë rrezik për sigurinë e tyre. Ai thotë se vajzat qëndrojnë jashtë deri në orët e para të mëngjesit dhe se kanë nisur të mos frekuentojnë rregullisht as shkollën.

Për të mbështetur pretendimet e tij, 40-vjeçari i ka vënë në dispozicion redaksisë edhe komunikime me mësuesen kujdestare, e cila e ka njoftuar për mungesat e përsëritura të vajzës në shkollë. Ai shprehet gjithashtu i shqetësuar për kushtet në të cilat po qëndrojnë fëmijët, duke pretenduar se nëna largohet për periudha të gjata nga banesa dhe se vajzat e mëdha detyrohen të kujdesen për më të voglën. Pjesë e materialeve të paraqitura nga babai janë edhe biseda të vajzave me nënën, ku bien në sy fyerjet, kërcënimet dhe një marrëdhënie e tensionuar mes tyre. Në disa prej komunikimeve, nëna u kërkon vajzave të kthehen në shtëpi, ndërsa në një rast u thotë se nuk do t’i lejojë të hyjnë dhe se duhet të flenë jashtë.

Nga ana tjetër, vajzat e kundërshtojnë me gjuhë fyese dhe e akuzojnë nënën për mungesën e saj në familje. Situata bëhet edhe më shqetësuese nga komunikimet që, sipas Harunit, vajzat kanë pasur me partnerin e ri të nënës. Në mesazhet e vëna në dispozicion të redaksisë, ky i fundit përdor një gjuhë tejet fyese dhe kërcënuese ndaj vajzave, madje duke u thënë se do të dërgonte persona për t’i perdhunuar. Një tjetër shqetësim i ngritur nga 40-vjeçari lidhet me komunikimin e vajzës 14-vjeçare me një burrë rreth 40 vjeç, të identifikuar si Marjusi. Në bisedat e paraqitura, burri i kërkon vajzës fotografi me rrobat që kishte provuar, këmbëngul për t’i parë se si i rrinin në trup dhe i propozon takime për kafe, mëngjes apo për ta marrë me makinë. Haruni pretendon se ka zbuluar këto komunikime pasi ka kontrolluar telefonin e së bijës dhe se më pas është përballur drejtpërdrejt me personin në fjalë.

Sipas rrëfimit të tij, situata mori një tjetër drejtim kur bashkëshortja dhe vajza e derguan në komisariat, duke e akuzuar për dhunë ndaj së miturës dhe marrjen e telefonit të saj. Ai i mohon kategorikisht këto akuza dhe pretendon se denoncimi ndaj tij është përdorur për ta larguar nga fëmijët dhe për ta penguar të ndërhyjë në situatën që, sipas tij, po përjetojnë ata. Haruni thotë se tashmë është në një betejë të vazhdueshme për të rifituar kontaktin me fëmijët dhe për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes së tyre.

Ai shpreh frikën se mungesa e kujdesit prindëror, braktisja e shkollës dhe ekspozimi ndaj personave e situatave të rrezikshme mund të sjellin pasoja edhe më të rënda. Kjo histori ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë dhe mirëqenien e katër të miturve, përgjegjësinë e të dy prindërve dhe nevojën për ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco