Gazetari Elton Tozaj ka treguar për herë të parë në një intervistë për emisionin “Radar” detaje nga sulmi fizik që pretendon se iu bë më 5 nëntor, në një moment kur po përgatitej të udhëtonte drejt Athinës. Ai e cilësoi ngjarjen si tentativë vrasjeje me paramendim për shkak të detyrës dhe deklaroi se tashmë ndodhet nën mbrojtjen e autoriteteve në një vend të Bashkimit Evropian.
Në nisje të intervistës, Tozaj hodhi poshtë lajmet që qarkulluan për rrëmbimin apo vdekjen e tij, duke sqaruar se ishte dëmtuar fizikisht, por se ishte gjallë dhe po rikuperohej.
“Jam i dëmtuar fizikisht, po jo shpirtërisht. I dobësuar fizikisht, po jo moralisht. I parrëmbyer, po këtu me ju. I pavrarë, i pavdekur, i pakallur, siç shumica e medias e kanë transmetuar ditën e djeshme”, u shpreh ai.
Gazetari tha se dy ditë përpara intervistës kishte dorëzuar materialet e tij në polici, ndërsa autoritetet ku jeton aktualisht kanë kryer verifikime për kërcënimet. Sipas tij, llogaritë e tij në rrjetet sociale janë vendosur nën monitorim dhe çdo mesazh kërcënues do të trajtohet si kërcënim ndaj jetës.
Tozaj u shpreh gjithashtu se ishte larguar për rreth 40 ditë nga rrjetet sociale, si për arsye sigurie, ashtu edhe për të pasur kohë të rikuperohej dhe të reflektonte. Ai kundërshtoi publikimin e lajmeve të rreme për vdekjen e tij dhe paralajmëroi se ekipi i avokatëve në Shqipëri po merret me këtë çështje.
“Përhapja e lajmeve të rreme, sidomos kjo e vdekjes njëherë, është për mua jashtë çdo lloj limiti dhe çdo lloj logjike”, deklaroi gazetari, duke iu kërkuar mediave të mos përfitojnë klikime nga emri dhe ngjarja e tij.
Gjatë intervistës, Tozaj pretendoi se kërcënimet ndaj tij kishin nisur pas publikimit të disa denoncimeve për raste abuzimi dhe dhune. Ai përmendi ndër të tjera rastin e pronares së një agjencie turistike, dëshmi të një mjeku dhe persona që, sipas tij, kishin shkuar në zyrë për të bërë deklarime.
Gazetari tha se kishte marrë mesazhe dhe telefonata nga persona të ndryshëm, përfshirë figura të rrjeteve sociale, personazhe mediatike dhe individë që i lidhi me botën e krimit, të cilët i kishin kërkuar të mos vijonte me publikimet.
Ai përmendi si të dyshuar të mundshëm Luana Vjollcën dhe partnerin e saj, si dhe persona të tjerë që, sipas tij, mund të kenë pasur arsye për t’u kundërvënë denoncimeve të tij. Tozaj pretendoi se partneri i Vjollcës nuk është marrë ende në pyetje nga prokuroria shqiptare për çështjet që ai ka ngritur. Ai përmendi gjithashtu emra të lidhur me denoncime të tjera, mes tyre ish-kandidatin për deputet Adrian Hila, si dhe persona të tjerë për të cilët tha se i kishte raportuar në polici.
Këto janë pretendime të gazetarit dhe nuk përbëjnë konstatime të autoriteteve për përgjegjësinë e personave të përmendur. Tozaj tha se ua kishte dorëzuar emrat autoriteteve të vendit ku jeton dhe pret që hetimet të zbardhin autorët e sulmit.
Duke iu rikthyer ngjarjes, Tozaj tregoi se më 5 nëntor ishte nisur drejt Athinës, ku kishte planifikuar takime me një producent të një televizioni grek dhe një tjetër përfaqësues që, sipas tij, mbulonte Greqinë për Netflix. Qëllimi ishte realizimi i një dokumentari me tri seri mbi lidhjet mes mafies, korrupsionit dhe botës së showbizit.
Ai tha se në emisionin e së martës kishte paralajmëruar publikimin e një interviste dhe dëshmie ekskluzive nga Athina, që sipas tij përfshinte informacione komprometuese për moderatoren Luana Vjollca.
Gazetari tregoi se kishte dalë i vetëm nga banesa, pa personat që zakonisht e shoqëronin për sigurinë e tij, pasi mendonte se kërcënimet kishin përfunduar. Teksa po ecte në trotuar me valixhen në dorë, në drejtim të makinës, ai pretendon se u sulmua nga disa persona që zbritën nga një furgon.
Sipas rrëfimit të tij, agresorët e goditën me leva dhe doreza hekuri. Tozaj tha se ndërhyrja dhe thirrjet e banorëve të zonës mund të kenë ndihmuar që sulmi të mos përfundonte me pasoja edhe më të rënda. Ai kujton më pas momentin kur mbërriti në spital, i shoqëruar nga policia dhe një ambulancë.
I pyetur nëse kishte dëgjuar ndonjë fjalë nga agresorët, gazetari tha se mban mend vetëm shprehjen “Të gjetëm!”, të shqiptuar pak çaste përpara se të niste dhuna.









