Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për televizionin francez “France 24”, ka folur për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe raportet me Serbinë, duke thënë se pret që vendi të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian brenda javëve ose muajve të ardhshëm.
Kurti ka shprehur pakënaqësi që Kosova, edhe katër vjet pas aplikimit për anëtarësim në BE, ende nuk e ka marrë këtë status. Ai ka theksuar se Kosova është i vetmi vend në Evropë pa statusin e kandidatit, ndërsa si shkak për vonesën ka përmendur mungesën e një kërkese të Këshillit Evropian drejtuar Komisionit Evropian për përgatitjen e opinionit mbi aplikimin e Kosovës.
Sipas Kurtit, institucionet e Kosovës kanë përmbushur detyrimet në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit, transparencës dhe lirisë së medias.
“Ne i kemi kryer të gjitha detyrat tona sa u përket indekseve demokratike, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, transparencës, lirisë së shtypit, demokracisë zgjedhore dhe demokracisë liberale”, ka deklaruar ai.
Kreu i Qeverisë ka thënë se Kosova nuk kërkon privilegje apo procedura të veçanta në rrugën drejt BE-së, por një proces ku avancimi përcaktohet nga meritat dhe përmbushja e kritereve.
“Ne nuk duam rrugë të shkurtra, dyer të pasme apo procedura të përshpejtuara. Duam një proces të bazuar në meritë dhe jemi të gatshëm për këtë. Jemi të gatshëm t’u përgjigjemi me përkushtim dhe kujdes mijëra pyetjeve në pyetësorin që ende nuk na është dërguar”, ka thënë Kurti.
Si një nga pengesat për ecjen përpara të procesit, ai ka përmendur qëndrimet e pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Spanjës, Qipros, Rumanisë, Greqisë dhe Sllovakisë.
I pyetur për mundësinë e ndryshimit të qëndrimit të këtyre shteteve, Kurti ka thënë se komunikimi dhe bashkëpunimi me to është shtuar. Ai ka veçuar vendimin e Spanjës për njohjen e pasaportave të Kosovës dhe avancimin e statusit të zyrës së Kosovës në Athinë.
“Ne u kemi kërkuar që t’i bashkohen shumicës, 22 vendeve anëtare të BE-së që na njohin. Ka pasur njëfarë përparimi gradual. Këto janë shenja pozitive, por njohja ende nuk ka ndodhur”, ka deklaruar kryeministri.
Megjithatë, Kurti ka vlerësuar se mosnjohja nga këto pesë shtete nuk duhet të pengojë dërgimin e pyetësorit të Komisionit Evropian për Kosovën.
Në intervistë është diskutuar edhe për kritikat e institucioneve evropiane ndaj reformave në Kosovë, veçanërisht për pavarësinë e sistemit gjyqësor. Kurti ka pranuar se ka probleme në këtë fushë, por ka thënë se reformat janë ndërmarrë pikërisht për t’i adresuar ato.
Ai ka bërë të ditur se Kosova është afër themelimit të një byroje për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Pra, nuk mund të kesh një pagë mesatare dhe një vilë të madhe, apo disa të tilla”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, procesi i integrimit evropian, përmes hapjes dhe mbylljes së kapitujve dhe grupkapitujve, do të shërbente edhe si shtysë për reforma të mëtejshme në drejtësi dhe administratë publike.
Sa i përket raporteve me Serbinë, Kurti ka vlerësuar se është ende herët të flitet për mundësinë e nisjes së një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve pas zgjedhjeve në Serbi.
Ai ka përsëritur se synimi i Kosovës është normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër të këtij procesi.
“Ne duam normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke. Nuk ka makinë kohe për t’u kthyer në shekullin e 20-të”, ka thënë ai.
Kurti ka theksuar se Kosova është shtet i pavarur dhe republikë demokratike, duke shtuar se pranimi i këtij realiteti nga Beogradi sa më shpejt do të ishte në interes të të dyja vendeve, por edhe të perspektivës evropiane të Serbisë.