Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas ka vlerësuar ecurinë e Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke i cilësuar si vende që kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit.
Në një intervistë për televizionin “France 24”, Kallas u shpreh se Mali i Zi mund ta përfundojë procesin së shpejti, ndërsa Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina janë gjithashtu ndër vendet që po përparojnë drejt anëtarësimit.
“Ne po vijojmë që të bëjmë hapa para me procesin e zgjerimit. Shpresojmë që Mali i Zi ta kalojë vijën e finishit së shpejti. Kemi edhe shtete të tjera të rëndësishme që janë vërtet shumë pranë tij në këtë proces. Kemi Shqipërinë, Moldavinë, Ukrainën, si dhe shtete të tjera që aspirojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Procesi i zgjerimit nga njëra anë është i vështirë, por është gjithashtu e rëndësishme që këto shtete të fitojnë qasje në tregun e përbashkët, si dhe në lëvizjen e lirë të njerëzve”, tha Kallas.
Sipas Kallas, ky proces duhet të vijojë të bazohet në meritat individuale të secilit shtet kandidat, duke vlerësuar përmbushjen e kritereve dhe respektimin e sundimit të ligjit.
“Ky proces duhet të vijoje që të jetë i bazuar në merita individuale. Zgjerimi duhet që të jetë gjithashtu një proces ku ne verifikojmë nëse një shtet kandidat respekton vërtet sundimin e ligjit dhe të gjitha parimet thelbësore që janë të rëndësishme për Bashkimin Evropian. Përndryshe, pasi këto shtete të jenë bërë pjesë e Bashkimit Evropian, zbatimi i reformave bëhet shumë më i vështirë sesa më parë. Mendoj se është e rëndësishme që të zgjerohemi sepse është një vendim gjeopolitik. Ajo që mendoj unë është se, në situatën aktuale të sigurisë, duhet të flasim edhe me qytetarët tanë për vlerat që këto shtete do të na sjellin në familjen evropiane”, tha Kallas.







Komente
Komento