Kombëtarja U21 e mbyll me sukses miqësoren me Luksemburgun, e pret ajo me Spanjën Shkodra ka një simpati të vjetër për Gjermaninë, sidomos në Europianët dhe Botërorët ku mungojnë kuqezinjtë. Tani, një djalë me rrënjë shkodrane ka shënuar golin e parë me “Panzerat”, pasi refuzoi disa herë Shqipërinë.
Ka histori që futbolli i shkruan me një ironi të veçantë. Brajan Gruda, djali i ish-futbollistit të Vllaznisë, Bujar Gruda, ka gjetur golin e parë me kombëtaren gjermane, duke i dhënë një tjetër kuptim lidhjes së tij me Shqipërinë dhe veçanërisht me Shkodrën.
Në qytetin verior ekziston prej vitesh një simpati e veçantë për Gjermaninë. Sa herë që Shqipëria mungon në Europian apo në Kupën e Botës, një pjesë e madhe e shkodranëve gjejnë te “Panzerat” një skuadër për të bërë tifo. Një traditë që shpesh është kthyer edhe në batutë mes tifozëve shqiptarë.
Por këtë herë lidhja është edhe më interesante. Bujar Gruda ka veshur fanellën e Vllaznisë në vitet ’80, ndërsa i biri, Brajani, po ndërton karrierën ndërkombëtare me Gjermaninë. Shqipëria u përpoq disa herë ta bindte talentin me origjinë shqiptare që të zgjidhte kuqezinjtë, por përgjigjja e tij ishte gjithmonë në favor të Gjermanisë.
“Prindërit e mi janë shqiptarë, por zemra ime thotë se dua të luaj për Gjermaninë”, ishte shprehur Gruda në një intervistë për mediat gjermane.
Dhe tashmë ai ka nisur të shpërblejë besimin e marrë nga kombëtarja gjermane. Në ndeshjen ndaj Serbisë, Gruda shënoi golin e tij të parë me përfaqësuesen A, duke përjetuar një moment të veçantë në karrierën ndërkombëtare.
Një gol që ndoshta në Shkodër do të festohet me kënaqësi të veçantë. Në fund të fundit, kur Shqipëria nuk është në Europian apo Botëror, Gjermania është shpesh zgjedhja e dytë e shkodranëve. Tani kanë edhe një arsye më shumë për të bërë tifo: një Gruda që mban mbiemrin e një futbollisti të Vllaznisë, por që shënon për Gjermaninë.
Ëndrra shkodrane, por me fanellën gjermane!
Top Channel