Partia Demokratike ka bërë publik propozimin e saj për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke kërkuar që Shqipëria të kthehet në një zonë të vetme elektorale, me sistem proporcional kombëtar dhe lista 100% të hapura.
Nisma përfshin gjithashtu rikthimin e koalicioneve parazgjedhore me lista të përbashkëta dhe vendosjen e një pragu të ulët zgjedhor, për të cilin palët duhet të bien dakord.
Propozimin e shpjegoi deputeti demokrat Oerd Bylykbashi në emisionin “Çdo kënd” në A2 CNN. Sipas tij, modeli do t’u jepte qytetarëve mundësinë të votonin drejtpërdrejt partinë dhe kandidatët që preferojnë, ndërsa mandatet do të ndaheshin në bazë të votave të marra në rang kombëtar.
Bylykbashi argumentoi se një sistem i tillë do të dobësonte kontrollin e kryetarëve të partive mbi përzgjedhjen e deputetëve dhe do t’u jepte më shumë peshë votës së qytetarëve dhe kandidatëve. Ai solli si shembuj Kosovën dhe Izraelin, ku vendi përbën një zonë të vetme zgjedhore.
Sipas demokratit, ndryshimet duhet të shtrihen edhe në zgjedhjet vendore, ndërsa rikthimi i koalicioneve do t’u mundësonte partive të bashkoheshin në lista të përbashkëta, duke ruajtur votën dhe përfaqësimin e secilës forcë politike.
Duke folur për qëndrimin e mazhorancës, Bylykbashi akuzoi kryeministrin Edi Rama se kërkon të ruajë një sistem që, sipas tij, mundëson marrjen e mandateve përmes avantazhit ndaj kundërshtarit dhe jo vetëm mbi bazën e votave. Ai u shpreh se PD-ja nuk sheh ende gatishmëri nga socialistët për të diskutuar propozimet.
Deputeti demokrat bëri të ditur se do të kërkojë zhvillimin e mbledhjeve të vazhdueshme të komisionit të reformës zgjedhore, duke këmbëngulur që diskutimet të jenë publike dhe jo të zhvillohen në grupe të mbyllura.
Në përfundim, Bylykbashi theksoi se, përtej ndryshimit të formulës zgjedhore, kusht për zgjedhje të lira është ndarja e partisë nga shteti. Sipas tij, administrata publike duhet të jetë e mbrojtur nga presioni politik dhe të mos përdoret si mekanizëm patronazhimi.












