Juventusi ia cakton çmimin Edon Zhegrovës

Situata e Edon Zhegrovës te Juventusi po bëhet gjithnjë e më e komplikuar, me klubin italian që raportohet se po shqyrton mundësinë e largimit të tij gjatë afatit kalimtar të janarit.
Sipas mediumit TuttoJuve, drejtuesit e Juventusit janë të gatshëm ta lejojnë largimin e reprezentuesit të Kosovës në rast se në adresë të tyre vjen një ofertë në vlerë prej 10 deri në 15 milionë euro.
Kjo situatë vjen pas një periudhe jo të lehtë për Zhegrovën në Torino, ku 27-vjeçari nuk ka arritur të sigurojë një rol të rëndësishëm në skuadër.
Ai ende nuk e ka nisur asnjë ndeshje të këtij edicioni nga minuta e parë, duke e bërë gjithnjë e më të pasigurt të ardhmen e tij me fanellën bardhezi.
Ditë më parë, trajneri Luciano Spalletti kishte shprehur pakënaqësinë e tij me paraqitjet e Zhegrovës, një zhvillim që shton pikëpyetjet rreth vazhdimësisë së futbollistit kosovar në skuadrën italiane.
Në këtë kontekst, afati kalimtar i janarit mund të jetë vendimtar për të ardhmen e tij. Zhegrova mund të kërkojë një skuadër të re ku do të kishte më shumë minuta dhe mundësi për të treguar cilësitë e tij.
Ndërkohë, së fundmi është raportuar se Besiktasi ka shfaqur interesim për shërbimet e tij, duke e bërë klubin turk një kandidat të mundshëm për transferimin e reprezentuesit kosovar./Telegrafi/










































