Autoritetet amerikane të aviacionit kanë vendosur të pezullojnë të gjitha ngritjet e avionëve në aeroportet e vendit këtë të premte pasdite, për shkak të “rrethanave të jashtëzakonshme”. Deri më tani nuk është bërë e ditur arsyeja zyrtare e këtij vendimi, por sipas informacioneve paraprake, pak pas orës 15:00 me orën lokale (21:00 me orën italiane), janë shfaqur probleme të shumta në komunikimin radio mes qendrave të kontrollit të trafikut ajror, të cilat janë përgjegjëse për menaxhimin e avionëve në fluturim.
Ndërkohë, hapësira ajrore amerikane po zbrazet gradualisht, pasi avionët që ndodhen në ajër po vijojnë fluturimet deri në destinacionin e tyre. Qendrat e kontrollit ajror, të cilat menaxhojnë trafikun në një nga hapësirat ajrore më të ngarkuara në botë, po përgatiten për një situatë të njohur në terminologjinë e aviacionit si “ATC Zero”. Ky përcaktim nënkupton ndërprerjen e plotë të shërbimit të kontrollit të trafikut ajror, për shkak të pamundësisë së komunikimit me avionët.
Vendimi është konfirmuar edhe nga sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, përmes një reagimi në rrjetin social X.
“FAA ka urdhëruar pezullimin e ngritjes së avionëve në të gjitha aeroportet e Shteteve të Bashkuara, pas një problemi komunikimi që ka prekur të gjitha qendrat e kontrollit të trafikut ajror. Teknikët e FAA-së po hetojnë për të përcaktuar shkakun e problemit. Do të publikojmë menjëherë informacione të reja sapo t'i kemi në dispozicion”, shkroi Duffy.
Sipas informacioneve paraprake, avionëve që ndodhen aktualisht në fluturim nuk u është kërkuar të ulen në aeroportin më të afërt, siç ndodhi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Të dhënat e publikuara nga platformat e monitorimit të trafikut ajror tregojnë se avionët e linjave tregtare po vijojnë fluturimet sipas itinerareve të planifikuara.
Ndërkohë, FAA ka njoftuar se fluturimet ndërkombëtare drejt Shteteve të Bashkuara do të trajtohen rast pas rasti. Kjo do të thotë se jo të gjithë avionët mund të lejohen të hyjnë në hapësirën ajrore amerikane. Disa prej tyre mund të detyrohen të ndryshojnë itinerarin, të drejtohen drejt një destinacioni tjetër ose të kthehen në aeroportin nga janë nisur.
Pezullimi i ngritjes së avionëve në rang kombëtar, i njohur në terminologjinë e aviacionit si “ground stop”, është një masë jashtëzakonisht e rrallë në Shtetet e Bashkuara.
Rasti i fundit u regjistrua në janar të vitit 2023, kur FAA pezulloi fluturimet për shkak të problemeve me një sistem të ri njoftimesh për pilotët. Përpara këtij incidenti, trafiku ajror në të gjithë vendin ishte ndërprerë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001./ Corriere della Sera






Komente
Komento