Pezullohen të gjitha fluturimet në SHBA, defekt në sistemin e kontrollit ajror
Një problem në sistemin e komunikimit të kontrollit ajror ka detyruar autoritetet amerikane të marrin një vendim të pazakontë, pezullimin e të gjitha fluturimeve në SHBA deri në një njoftim të dytë.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka urdhëruar ndalimin e ngritjes së avionëve nga aeroportet amerikane, duke lejuar vetëm ata që ndodhen tashmë në ajër të përfundojnë fluturimet dhe të ulen në destinacion.
Sipas CNN, defekti po prek qendrat e kontrollit të trafikut ajror në të gjithë vendin, ndërsa shkaku i plotë i ndërprerjes nuk është bërë ende i ditur. Fluturimet ndërkombëtare do të trajtohen rast pas rasti.
“Fluturimet duhet të mbeten të pezulluara deri në një njoftim të mëtejshëm”, thuhet në udhëzimin e autoritetit amerikan.




