SBB mund të rikthejë energjinë elektrike për trenat brenda pesë minutash pas një ndërprerjeje

Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) kanë vënë në funksion një sistem të ri të automatizuar, i cili mundëson rikthimin e energjisë elektrike për trenat brenda pesë minutash në rast të një ndërprerjeje të përgjithshme.
Deri më tani, pas një ndërprerjeje të gjerë të energjisë, procesi i rikthimit të furnizimit mund të zgjaste disa orë. Sistemi i ri synon ta shkurtojë ndjeshëm këtë kohë dhe të kufizojë ndikimin e avarive të mundshme në trafikun hekurudhor në Zvicër, shkruan 24heures.
Sipas njoftimit të SBB-së, teknologjia e re është testuar me sukses gjatë natës së 12 dhe 13 nëntorit, pa shkaktuar ndërprerje të shërbimit hekurudhor. Pas testimit, sistemi është tashmë funksional në të gjithë rrjetin hekurudhor zviceran.
Përmirësimi vjen pas ndërprerjes së madhe të vitit 2005
Rëndësia e këtij sistemi lidhet edhe me një nga ndërprerjet më të mëdha të energjisë në historinë e hekurudhave zvicerane, transmeton Telegrafi.
Më 22 qershor 2005, një ndërprerje e gjerë e furnizimit me energji elektrike ndali qarkullimin e trenave në të gjithë vendin. Si pasojë, rreth 2 mijë trena nuk mundën të vazhdonin udhëtimet, ndërsa rreth 200 mijë pasagjerë mbetën të bllokuar.
Pas këtij incidenti, SBB investoi në infrastrukturën hekurudhore për të zvogëluar rrezikun e përsëritjes së një situate të tillë dhe për të shkurtuar kohën e nevojshme për rikthimin e furnizimit me energji.
Me sistemin e ri, energjia elektrike mund të rikthehet automatikisht brenda pesë minutash në rast të një ndërprerjeje tipike të përgjithshme.
Sipas SBB-së, kjo teknologji e vendos kompaninë zvicerane ndër operatorët më efikasë në botë sa i përket rikthimit të furnizimit me energji elektrike në rrjetin hekurudhor./Telegrafi/





































