Administrata Federale e Aviacionit (FAA), autoriteti amerikan për kontrollin e transportit ajror, ka urdhëruar ndalimin e fluturimeve në të gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara, për shkak të “rrethanave të jashtëzakonshme”.
Lajmi bëhet i ditur nga Fox News, e cila e cilëson këtë si një masë të jashtëzakonshme, të ndërmarrë vetëm një herë tjetër, pas sulmeve të 11 shtatorit. FAA ka urdhëruar që të gjithë avionët të qëndrojnë në tokë deri në një njoftim të dytë, duke argumentuar se vendimi është marrë për arsye sigurie.
Pasojat e bllokimit të të gjitha fluturimeve në SHBA kanë nisur të ndihen edhe në Mbretërinë e Bashkuar, raporton Sky News UK. Fluturimi i orës 22:30 nga aeroporti Heathrow drejt JFK në New York është anuluar tashmë.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, ka shpjeguar se bllokimi është shkaktuar nga një problem komunikimi që prek të gjitha qendrat e kontrollit të trafikut ajror.
Duffy sqaroi se problemi ka ndikuar në të gjitha qendrat Air Route Traffic Control Centers, të cilat menaxhojnë trafikun ajror në lartësi të mëdha, ndërmjet aeroporteve.
“Teknikët e FAA-së po hetojnë”, deklaroi Duffy, duke premtuar se do të jepen informacione të tjera sapo të jenë të disponueshme.
Në njoftimin zyrtar theksohet se ulja e fluturimeve ndërkombëtare që mbërrijnë në SHBA do të lejohet rast pas rasti.
Pak pas publikimit të njoftimit, faqja zyrtare e Federal Aviation Administration, ku publikohen komunikimet lidhur me sistemin e kontrollit të trafikut ajror, rezultoi jashtë funksionit. Si pasojë, nga faqja u zhdukën dhjetëra njoftime që deri në atë moment ishin të aksesueshme.
Sipas të dhënave të Flightradar24, një platformë që monitoron trafikun ajror, aktualisht mbi 1.000 avionë janë në fluturim drejt aeroporteve amerikane.
Ndërkohë, mbi 30.000 fluturime ishin planifikuar të niseshin pas hyrjes në fuqi të bllokimit kombëtar, pak para orës 16:00 sipas orës së Bregut Lindor të SHBA-së. /ANSA/




