Pezullimi i ngritjes së avionëve në të gjitha aeroportet amerikane është një masë jashtëzakonisht e rrallë, e ndërmarrë në situata kur autoritetet vlerësojnë se siguria e trafikut ajror mund të jetë në rrezik.

Një nga rastet më të njohura ndodhi më 11 shtator 2001, pas sulmeve terroriste ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe Pentagonit. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi ndalimin e nisjeve të avionëve dhe më pas uljen e të gjithë avionëve civilë që ndodheshin në hapësirën ajrore amerikane. Ishte një vendim i paprecedentë, që paralizoi trafikun ajror në të gjithë vendin.

Një tjetër incident i ngjashëm u regjistrua më 11 janar 2023, kur një defekt në sistemin NOTAM, që u transmeton pilotëve informacione të rëndësishme për sigurinë e fluturimeve, detyroi FAA-në të pezullonte përkohësisht nisjet e avionëve në të gjithë SHBA-në.

Ndalimi i vitit 2023 zgjati rreth 90 minuta, por shkaktoi mijëra vonesa dhe anulime fluturimesh në aeroportet amerikane.

Ndryshe nga 11 Shtatori, kur vendimi u mor për shkak të një sulmi terrorist, incidenti i vitit 2023 lidhej me një problem teknik. Edhe pezullimi i 13 nëntorit 2026 është lidhur paraprakisht me probleme komunikimi në qendrat e kontrollit të trafikut ajror, ndërsa shkaku përfundimtar mbetet për t'u përcaktuar.

Sipas raportimit të fundit të Associated Press, incidenti i kësaj të premteje është pezullimi i tretë kombëtar i ngritjes së avionëve në SHBA, pas rasteve të viteve 2001 dhe 2023. Ndryshe nga 11 Shtatori, avionët që ndodhen në ajër nuk janë urdhëruar të ulen menjëherë.

Kriza e re ka prekur komunikimet në 22 qendrat rajonale që kontrollojnë trafikun ajror amerikan. Sipas të dhënave të FlightAware, deri në orën 16:56 me orën e bregut lindor amerikan, ishin regjistruar 7.884 fluturime me vonesë. Hetimet për shkakun e ndërprerjes vazhdojnë, ndërsa burime të cituara nga CNN thonë se informacionet paraprake nuk tregojnë për një sulm kibernetik.


Lajmi kryesor:

SHBA pezullon të gjitha fluturimet (mbi 10.000) për arsye sigurie! Probleme me kontrollin e trafikut ajror, për momentin përjashtohet një sulm kibernetik