Pasagjerë që telefonojnë familjarët, prindër që përpiqen të qetësojnë fëmijët që qajnë dhe udhëtarë që kërkojnë një vend për të kaluar natën. Kjo është atmosfera në aeroportin ndërkombëtar Dulles të Uashingtonit, pas vendimit të autoriteteve amerikane për të pezulluar ngritjen e të gjithë avionëve në SHBA.

Gazetarja e Corriere della Sera, Monica Ricci Sargentini, e cila ndodhej në aeroport në momentin e shpalljes së ndalimit, ka rrëfyer se çfarë ndodhi mes pasagjerëve që prisnin të niseshin drejt Romës.

“Ka një alarm, të gjithë avionët duhet të qëndrojnë në tokë. Do t'ju njoftojmë”, ishte njoftimi që ndërpreu procedurat e imbarkimit në portën C5, ku pasagjerët kishin nisur të formonin radhën për fluturimin e orës 18:00 drejt kryeqytetit italian.

“Çfarë po ndodh? Pse?”, nisën të pyesnin udhëtarët, duke iu afruar sportelit.

“Nuk kemi informacione të tjera, ka një problem me kontrollorët e trafikut ajror”, u përgjigjën punonjësit e aeroportit, të cilët, sipas gazetares, dukeshin të sikletosur dhe dinin edhe më pak se pasagjerët.

Menjëherë nisën telefonatat. Udhëtarët njoftonin familjarët dhe përpiqeshin të kuptonin sa mund të zgjaste pritja.

“Unë po kërkoj një vend për të fjetur në Uashington. E kuptova që nuk do të nisemi”, tha një grua.

Pak më tutje, një familje me fëmijë të vegjël po kalonte momente të vështira. Fëmijët qanin, prindërit ishin të acaruar dhe askush nuk ishte në gjendje t'u thoshte se kur mund të hipnin në avion.

Një tjetër pasagjere, Meghan, që priste me një filxhan kafeje në dorë, përpiqej të ruante optimizmin. Ajo tregoi se një anëtar i ekuipazhit i kishte thënë se ndoshta fluturimet ndërkombëtare mund të lejoheshin, pasi avionët të dilnin nga hapësira ajrore amerikane.

Lajmi u përhap mes pasagjerëve dhe ngjalli shpresa, por ende nuk kishte asnjë konfirmim. Sipas Reuters, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) kishte vendosur t'i shqyrtonte fluturimet ndërkombëtare rast pas rasti.

Mes udhëtarëve ishte edhe Andrea, një grua 50-vjeçare që dëshironte të blinte një shtëpi në Arpino, pranë Frosinones në Itali, ku jetonte një mikeshë e saj.

Marianna, 30 vjeçe, po udhëtonte drejt Romës, ku e priste i dashuri. Ndryshe nga pasagjerët që po mendonin të gjenin një hotel, ajo nuk kishte ndërmend të largohej nga aeroporti.

“Unë do të qëndroj këtu, sepse dua të nisem”, tha ajo.

Një çift tjetër e priti situatën me më shumë qetësi: “Mirë, atëherë në vend që të kthehemi në Romë, do të qëndrojmë edhe disa ditë në Uashington”.

Ndërkohë, në aeroport qarkullonin informacione të pakta, të cilat pasagjerët ia përcillnin njëri-tjetrit. Disa tregonin çfarë kishin dëgjuar në sportel, të tjerë vazhdonin të kontrollonin telefonat.

Sipas gazetares italiane, nuk pati skena paniku, por askush nuk e dinte nëse do ta kalonte natën në avion apo do t'i duhej të gjente një dhomë hoteli.

Më pas, altoparlantët e aeroportit dhanë një tjetër njoftim.

“Siç e dini, ka një ndalim të nisjeve në të gjithë vendin. Për momentin nuk mund të vazhdojmë me imbarkimin”.

Njoftimi vijoi me një paralajmërim që i zbehu edhe më shumë shpresat për një nisje të shpejtë.

“Nuk parashikojmë ta fillojmë imbarkimin së shpejti apo në orarin e planifikuar. Ju lutemi, qëndroni ulur”.

Por pas një pritjeje të gjatë, nga altoparlantët erdhi më në fund një lajm pozitiv: nisi imbarkimi paraprak për fluturimin 887.

Të parët u thirrën personat me aftësi të kufizuara, më pas ushtarakët, pasagjerët me status të veçantë në United Airlines dhe familjet me fëmijë të vegjël.

“Mbajeni pasaportën të hapur te faqja me të dhënat personale”, ishte udhëzimi i radhës.

Pas gjithë pasigurisë dhe njoftimeve për ndalimin e fluturimeve, pasagjerët më në fund morën udhëzimet për të hipur në avion. Por për ngritjen nga aeroporti duhej ende të prisnin.


Lajmi kryesor:

SHBA pezullon trafikun ajror për shkak të problemeve teknike, përjashtohet sulmi kibernetik! Kaos në aeroporte, 10 mijë fluturime të anuluara, shtyhen 1.700 të tjera