Microsoft zbulon shkakun e ndërprerjes globale: Një gabim në përditësimin e rrjetit shkaktoi efektin zinxhir

Kompania konfirmon se problemi nuk lidhej me një sulm kibernetik apo inteligjencën artificiale. Pas ndërhyrjes teknike, shërbimet kanë nisur rikuperimin gradual në disa rajone.

Microsoft ka zbardhur shkakun e ndërprerjes globale që preku shërbimet e saj, duke e cilësuar incidentin si një problem teknik të shkaktuar nga një gabim në infrastrukturën e rrjetit.

Në një mesazh drejtuar klientëve të prekur, ekipi drejtues i kompanisë kërkoi ndjesë për shqetësimet dhe falënderoi përdoruesit për durimin, ndërsa konfirmoi se tashmë po vërehet një rikuperim i gjerë i shërbimeve.

Sipas shpjegimit të Microsoft, problemi nisi nga një përditësim i portave të rrjetit, i realizuar disa muaj më parë me qëllim rritjen e kapacitetit.

“Ky përmirësim paraqiti një gabim”, thuhet në mesazhin e kompanisë.

Microsoft shpjegon se defekti nuk kishte shkaktuar probleme të njohura gjatë muajve të fundit, por një ndryshim i kryer së fundmi në rrjet aktivizoi gabimin, duke shkaktuar dështime dhe rritur ngarkesën në sistem.

Kjo situatë solli një efekt zinxhir, duke përhapur ndërprerjen në shërbime të tjera të infrastrukturës.

Kompania theksoi se incidenti nuk ishte rezultat i një sulmi kibernetik dhe as i veprimtarisë së agjentëve të inteligjencës artificiale.

Microsoft bëri të ditur se gabimi themelor është identifikuar dhe është korrigjuar. Megjithatë, për shkak të volumit të madh të proceseve të mbetura në radhë gjatë ndërprerjes, rikthimi i plotë i klientëve dhe rajoneve po kryhet në mënyrë graduale.

“Gabimi themelor është adresuar dhe, për shkak të një vëllimi të madh pune në radhë, po i rikthejmë gradualisht klientët dhe rajonet në punë”, thuhet në deklaratë.

360grade.al

Monarkia e pashpallur e stabilitetit!

Të tjera

Galeria
Rreth nesh

360 grade.al është një portal që synon të sjellë shumë të vërteta të fshehura dhe të anashkaluara në realitetin shqiptar. Simbas parimit se e Vërteta nuk është monopol i askujt dhe se përgjithësisht e drejta është më shumë në Mes, se sa në Skaj.

Duke refuzuar radikalizmin politik, apo atë të qëndrimeve, si një përcjellës të Gënjeshtrës përmes deformimit, Errësirës përmes zhurmës dhe të Antishtetit përmes kauzave të rreme, nga cilido krah ai të paraqitet.

Kontakt

Adresa: Rruga Gjin Bue Shpata,
Njësia Bashkiake Nr.5. Kati i 1.
Tirane, Shqipëri