“Në 10 vite reformë nuk kemi ndërtuar asnjë gjykatë”, kreu i KLGJ-së kërkon troje dhe 199 punonjës/ Xhafaj kritika për Illyrian Guard: Shtet brenda shtetit


Këshilli i Lartë Gjyqësor ka kërkuar fonde për ndërtimin e godinave të reja të gjykatave, ndërsa mungesa e trojeve vijon të mbetet një nga pengesat kryesore për realizimin e investimeve.
Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, kreu i KLGJ-së, Ilir Rusi deklaroi se nga 20 gjykata në vend, vetëm 5 e ushtrojnë funksionin në godina të dedikuara për gjykata.
Sipas tij, KLGJ u ka kërkuar bashkive të Kukësit, Durrësit, Fierit, Lezhës dhe Tiranës vënien në dispozicion të trojeve për ndërtimin e gjykatave, por kërkesat nuk kanë marrë përgjigje pozitive. Ndërkohë, Bashkia e Beratit ka miratuar kalimin e një trualli në pronësi të KLGJ-së, për të cilin janë parashikuar 9 milionë lekë për projektin e zbatimit të godinës së re.
Një tjetër problematikë e ngritur gjatë raportimit ishte siguria në gjykata dhe rritja e kostos së shërbimit të ofruar nga Illyrian Guard. KLGJ ka kërkuar gjithashtu fonde për pajisje sigurie, ndërsa kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, ngriti shqetësimin për efektivitetin dhe eficiencën e kësaj shoqërie.
Kreu i KLGJ-së kërkoi gjithashtu shtimin e 199 punonjësve për vitin 2027, për të plotësuar vendet vakante me ndihmës ligjorë, sekretarë gjyqësorë dhe punonjës sigurie. Ai theksoi se zbatimi i sistemit të ri teknologjik Euronix do të kërkojë personel shtesë dhe investime në pajisje elektronike.
Por kryetari i komisionit, Fatmir Xhafa, ngriti shqetësimin se mungesa e infrastrukturës pengon edhe emërimin e punonjësve të rinj në gjykata. Sipas tij, zgjidhja e problemit të godinave, veçanërisht për gjykatat e Tiranës dhe Gjykatën e Apelit Administrativ, është thelbësore, pasi aktualisht nuk ka ambiente ku të vendosen punonjësit e rinj.
Gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027, relatorja Evis Kushi bëri të ditur se financimi për KLGJ-në dhe sistemin gjyqësor parashikohet në 6.67 miliardë lekë, me një ulje prej 74.22 milionë lekësh krahasuar me vitin 2026.
Janë dedikuar për t’u marrë me qira objekte nga ana e Gjykatës së Apelit Administrativ, Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, për sa kohë mjediset e tyre kufizohen.
Kemi edhe fondin për sigurinë e gjykatave. Është një fond prej 215 milionë lekësh të reja që ka qenë i dedikuar për blerje pajisjesh për zyra dhe sigurinë në gjykata. Pavarësisht se nuk kemi mjediset e duhura, të paktën të blejmë mjete për të rritur sigurinë në gjykata.
Do të ndalesha te numri i punonjësve. Është fakt që 100 punonjës që ju na i miratuat, i detajuam për punonjës sigurie, për sekretarë gjyqësorë dhe për ndihmës ligjorë. Për vitin e ardhshëm ne kemi kërkuar 199 punonjës. Është domosdoshmëri se kemi vakanca.
360grade.al



















