Opozita kundërshton Kurtin për kthimin e mjekëve, Oda konfirmon vetëm 40 ri-anëtarësime

FOTO ILUSTRUESE

Deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se gjatë vitit 2025 në Kosovë janë kthyer 171 mjekë për të jetuar dhe punuar e kanë kundërshtuar deputetë të opozitës, duke kërkuar të dhëna konkrete për mjekët e kthyer dhe duke kritikuar gjendjen në sektorin e shëndetësisë.

Ndërkaq, Oda e Mjekëve të Kosovës, në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, ka bërë të ditur se gjatë periudhës 2018–2026 rreth 40 mjekë, të cilët më parë kishin deklaruar se ushtronin veprimtarinë profesionale jashtë vendit, janë kthyer në Kosovë dhe janë ri-anëtarësuar e ri-licencuar në Odë.

Ish-ministri i Shëndetësisë, tani deputet i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se deklaratat e Qeverisë për kthimin e mjekëve janë të pavërteta dhe se po përzihen kërkesat për licencim me rikthimin e profesionistëve shëndetësorë nga mërgata.

Ai, duke iu referuar statistikave që, sipas tij, posedon Oda e Mjekëve, ka thënë se nga viti 2021 janë larguar më shumë se 757 mjekë dhe mbi 1 mijë e 290 infermierë.

“Fatkeqësisht, këtu s’ka asgjë të vërtetë, atë që ka deklaruar qeveria dhe zoti Kurti dhe për fat të keq edhe janë përzier gjërat edhe në aspektin profesional, sepse është tentuar që përmes kërkesave për licencim të tregohet si rikthim i mjekëve nga mërgata jonë, qoftë ata që kanë shkuar për t’u shkolluar, ose ata që jetojnë dhe veprojnë në mërgatë, por janë shkolluar dhe dëshirojnë që të kthehen në vendin e tyre. Kjo nuk është e vërtetë, nuk është e saktë, statistikat tregojnë ndryshe, të kundërtën e madhe të këtij mashtrimi dhe të këtij manipulimi, sepse nga viti 2021, sipas statistikave që posedon Oda e Mjekëve, janë larguar më shumë se 757 mjekë dhe më shumë se 1290 infermierë. Domethënë, Kosova, prej vitit 2021, ka humbur afër 3000 profesionistë shëndetësorë, të cilët i kanë larguar në vendet e perëndimit.Ndërsa të rikthyer, shifrat që pretendojnë janë qesharake, janë minimale, ose mos të them, me pak sesa gishtat e njeriut duar”, tha ai për Ekonomia Online.

Zemaj ka kritikuar edhe, siç i ka quajtur, ndërhyrjet politike në sektorin e shëndetësisë, duke thënë se ato kanë ndikuar në largimin e profesionistëve nga institucionet publike.

“Është një farë tendence që të ketë ndërhyrje të vazhdueshme në sektorin e shëndetësisë, sidomos si pjesë politike. Profesionistët shëndetësorë tentohen të rikthehen në profesionistë partiakë, dhe kjo është e patolerueshme, ose t’i shërbejnë subjektit politik në vend që të lejohen t’ju shërbejnë pacientëve dhe qytetarëve të vendit. Kjo nuk duhet të lejohet, duhet të ndërpritet sepse kanë ndodhur ndër vite. Shkaku i kësaj, shumë drejtorë klinikash, mjekë profesionistë, që kanë edhe background të madh profesional dhe akademik, janë larguar nga institucionet publike shëndetësore. Disa e kanë gjetur veten në institucionet private shëndetësore, sepse atje qeveria, edhe ministri i Shëndetësisë ka pasur interesimin më të madh, ku një edhe vetë ka shërbyer. Dhe për fat të keq, nga këto ndërhyrje, kemi edhe largim të profesionistëve shëndetësorë, sidomos të mjekëve, por edhe të stafit të mesëm, që është tepër tepër e nevojshme në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale”, tha ai.

Edhe anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, ka kritikuar deklaratën e Kurtit, duke thënë se gjendja në sektorin e shëndetësisë nuk i jep kryeministrit arsye për t’u krenuar.

Ajo ka ngritur shqetësime edhe për numrin e të punësuarve në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, duke krahasuar numrin e punonjësve në periudhën e kaluar me atë aktuale.

“Kurti nuk ka për çka të lavdërohet, sepse ne po e shohim gjendjen e shëndetësisë në Kosovë, duke parë shumë ankesa, shumë shqetësime dhe shumë kërkesa. Kurti nuk mendoj që duhet të krenohet me këtë pjesë të shëndetësisë, e aq më pak një kryeministër i cili nuk ka bërë asgjë për shëndetësinë. Mendoj që ka ardhur koha që të merren veprime konkrete për gjendjen shëndetësore në Kosovë, ka thënë ajo për Ekonomia Online.

“Na e dimë shumë mirë, përderisa jam edhe në Komisionin për Shëndetësi, sidomos te Fondi për Sigurime Shëndetësore, kanë qenë tre vetë duke punuar. Tash janë 52 vetë duke punuar në të njëjtin departament, të njëjtën punë e kryejnë, 52 vetë, tre vetë kanë qenë duke punuar atëherë. Tash, kryeministri Kurti me ministrin Vitia i kanë punësuar 52 vetë të njëjtën punë e bëjnë. Çka bëjnë 52 vetë aty? Përderisa kanë qenë në gjendje me kryer punën tre vetë, tash po e shohim që 52 vetë atëherë çka, çka ka ndodhur aty?”, tha ajo.

Bytyqi ka kërkuar që kryeministri të publikojë emrat e mjekëve që janë kthyer në Kosovë, si dhe të sqarojë numrin e profesionistëve shëndetësorë që janë larguar.

“Kryeministri Kurti atëherë të del, pra, të deklarohet me emër e mbiemër cili doktor është kthyer dhe sa doktor kanë shkuar jashtë vendit. Kjo ndoshta kishte qenë përgjigjja më e mirë nga kryeministri Kurti”, tha ajo.

Ajo ka përmendur edhe ankesat e pacientëve për mungesë të barnave dhe vështirësi në kompensimin e shpenzimeve për trajtim jashtë institucioneve publike.

“Kemi shumë raste të cilat na u kanë drejtuar, përderisa jemi në atë komision. Një pacient ne e kemi parë dhe publikisht ka dalë që ka shpenzuar mbi 14.000 € dhe nuk është në gjendje Ministria e Shëndetësisë me bë kompensimin e këtyre pacientëve. Ata nuk i kanë kushtet e mira dhe ne po e shohim që pacientët po vdesin për shkak të mungesës së barnave”, tha ajo.

Në përgjigjen për Ekonomia Online, Oda e Mjekëve të Kosovës ka sqaruar se njëri nga indikatorët që përdor për të matur largimin e mjekëve është numri i certifikatave mbi të kaluarën etike dhe profesionale, të cilat lëshohen për anëtarët që synojnë të punësohen dhe të ushtrojnë profesionin jashtë vendit.

Sipas Odës, nga viti 2018 deri në vitin 2026 janë lëshuar gjithsej 1 mijë e 181 certifikata të tilla.

“Lidhur me pyetjet e parashtruara, ju informojmë se indikatori i përdorur për matjen e largimit të mjekëve nga Kosova është numri i certifikatave mbi të kaluarën etike dhe profesionale të lëshuara nga Oda e Mjekëve të Kosovës, për përdorim jashtë vendit. Kjo certifikatë shërben si dokument bazë për anëtarët e OMK-së që synojnë të punësohen dhe të ushtrojnë veprimtarinë e tyre profesionale jashtë vendit. Sa i përket numrit të mjekëve që kanë kërkuar dhe janë pajisur me këtë certifikatë, ju informojmë se, sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, numri i certifikatave të lëshuara, gjatë periudhes 2018-2026 është gjithesej 1181”, thuhet në përgjigjen e OMK-së.

Sipas të dhënave të Odës, gjatë periudhës 2018–2022 janë lëshuar 704 certifikata, në vitin 2023 janë lëshuar 167, në vitin 2024 gjithsej 111, në vitin 2025 janë lëshuar 95, ndërsa gjatë vitit 2026, deri në datën e përgjigjes, janë lëshuar 104 certifikata.

Oda ka bërë të ditur gjithashtu se, bazuar në vetëdeklarimet e anëtarëve, rreth 600 mjekë janë të punësuar në Gjermani.

“Sa i përket ndarjes së tyre ne vite numri i certifikatave të lëshuara është si vijon: Gjatë periudhës 2018–2022 janë lëshuar gjithsej 704 certifikata. Gjatë vitit 2023 janë lëshuar 167 certifikata. Gjatë vitit 2024 janë lëshuar 111 certifikata. Gjatë vitit 2025 janë lëshuar 95 certifikata. Gjatë vitit 2026, deri në datën e përpilimit të kësaj përgjigjeje, janë lëshuar 104 certifikata. Ndërkaq, bazuar në vetëdeklarimet e anëtarëve të Odës ndër vite, rezulton se rreth 600 mjekë janë të punësuar në Gjermani”, thuhet në përgjigjen e OMK-së.

Sa i përket mjekëve të kthyer, Oda ka identifikuar rreth 40 raste të mjekëve që kishin deklaruar se punonin jashtë Kosovës, por që pas disa vitesh janë kthyer dhe janë ri-anëtarësuar e ri-licencuar në këtë institucion. Për mjekët e tjerë që mund të jenë kthyer, Oda ka udhëzuar që informatat të kërkohen nga Ministria e Shëndetësisë.

“Bazuar në të dhënat e Odës së Mjekëve të Kosovës, rreth 40 mjekë, gjatë periudhës 2018–2026, të cilët më parë ishin pajisur me Certifikatën mbi të Kaluarën Etike dhe Profesionale duke deklaruar se ushtrojnë veprimtarinë e tyre profesionale jashtë Kosovës, ndërsa pas disa vitesh janë kthyer në Kosovë, janë rianëtarësuar dhe rilicencuar në Odën e Mjekëve të Kosovës. Këta mjekë janë të identifikuar në regjistrat e Odës me emër dhe mbiemër. Sa i përket pjesës tjetër të mjekëve që sipas deklaratave janë kthyer në Kosovë, ju lutemi drejtohuni te Ministria e Shëndetësisë për më shumë informata dhe sqarime, pasi që mund të jënë mjekë Kosovar me nënshtetësi të huaj e që licencohen nga Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në përgjigjen e OMK-së për Ekonomia Online.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se pas dukurisë së “ikjes së trurit”, vitet e fundit Kosova po përballet me dukurinë e kundërt, atë të “kthimit të trurit”, duke thënë se vetëm gjatë vitit 2025 në vend janë kthyer 171 mjekë për të jetuar dhe punuar.

Shija e redaktorit

Presidenti kroat pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Kështu ka mësuar Dukagjini nga burimet e veta...

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

Të fundit nga rubrika