Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kanë shkaktuar probleme në qarkun e Kukësit, duke lënë qytetin dhe pjesën më të madhe të fshatrave pa energji elektrike prej rreth shtatë orësh.
Probleme me furnizimin me energji raportohen edhe në bashkitë Has dhe Tropojë, ndërsa moti i keq ka vështirësuar edhe qarkullimin në disa akse rrugore. Në rrugët nacionale raportohet për rënie gurësh dhe dherash, ndaj drejtuesit e automjeteve këshillohen të lëvizin me kujdes të shtuar.
Megjithatë, reshjet kanë sjellë edhe një zhvillim pozitiv për zonën. Pas një periudhe të gjatë thatësire, prurjet në liqenin e Kukësit janë shtuar dhe niveli i ujit ka nisur të rritet. Kjo ndodh për herë të parë pas gjashtë muajsh.
Vetëm dy javë më parë, liqeni kishte arritur në nivele kritike, duke zbuluar edhe rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit, të cilat zakonisht qëndrojnë të mbuluara nga ujërat.
Ndërsa situata e furnizimit me energji elektrike mbetet problematike, banorët duhet të tregojnë kujdes për shkak të reshjeve dhe erërave të forta, veçanërisht gjatë lëvizjes në akset rrugore.

