Shqipëria do të përfshihet këtë të shtunë nga mot kryesisht i paqëndrueshëm, me vranësira mesatare deri të dendura, intervale të herëpashershme me diell dhe reshje shiu në disa zona të vendit.
Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet do të nisin që në orët e para të 24-orëshit, fillimisht me intensitet të ulët. Në zonat veriore dhe qendrore priten reshje me intensitet deri mesatar, në formën e shtrëngatave, të shoqëruara edhe me shkarkesa elektrike.
Gjatë ditës, reshjet e herëpashershme të shiut do të shtrihen në të gjithë territorin, por me intensitet të ulët. Përmirësimi i kushteve atmosferike pritet pas orëve të pasdites, kur shiu do të ndërpritet në të gjithë vendin.
Edhe era do të jetë e pranishme, duke fryrë nga drejtimi juglindje-jugperëndim, me shpejtësi mesatare 9 m/s. Herë pas here, kryesisht përgjatë vijës bregdetare, ajo pritet të arrijë deri në 16 m/s.
Në det parashikohet valëzim me forcë 2-4 ballë.


