Për herë të parë në një takim trepalësh, Trump, Putin dhe Xi Jinping pritet të diskutojnë për armët bërthamore

14/11/2026 08:28

Shtëpia e Bardhë konfirmon një takim trepalësh mes presidentit amerikan Donald Trump, liderit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin, në kuadër të samitit të APEC në Kinë. Në fokus do të jetë kontrolli dhe reduktimi i armëve bërthamore, si dhe situata në Iran.

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të zhvillojë javën e ardhshme një takim të përbashkët me presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin rus Vladimir Putin. Lajmi është konfirmuar të premten nga Shtëpia e Bardhë, e cila bëri të ditur se bëhet fjalë për takimin e parë trepalësh të këtij lloji mes liderëve të tri fuqive botërore.

Takimi pritet të zhvillohet në kuadër të samitit të APEC, në Kinë, ndërsa çështja kryesore në tryezë do të jetë mospërhapja dhe reduktimi i armëve bërthamore.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, deklaroi se Trump e ka bërë të qartë se një prej temave kryesore të diskutimit do të jetë reduktimi i arsenalit bërthamor në shkallë globale.

“Presidenti beson se përhapja e armëve bërthamore është jashtëzakonisht e rrezikshme”, u shpreh ajo para gazetarëve.

Takimi zhvillohet në një moment delikat për sigurinë ndërkombëtare, pasi në muajin shkurt skadoi traktati i fundit për kontrollin e armëve bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Ndërkohë, Kina po zgjeron me ritme të shpejta arsenalin e saj bërthamor, duke shtuar shqetësimet ndërkombëtare për ekuilibrat strategjikë mes fuqive të mëdha.

Nuk pritet marrëveshje e menjëhershme për armët bërthamore

Pavarësisht rëndësisë së takimit, zyrtarët amerikanë kanë ulur pritshmëritë për arritjen e një marrëveshjeje konkrete gjatë kësaj tryeze.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se nuk pritet që takimi të prodhojë menjëherë një marrëveshje për çështjet bërthamore, por do të shërbejë si pikënisje për negociata të mëtejshme.

“Ne nuk presim të arrijmë ndonjë lloj marrëveshjeje. Do ta konsideroja këtë si pikënisjen, bisedën e parë në nivel liderësh mes këtyre vendeve”, deklaroi zyrtari.

Sipas tij, synimi është që ky takim të hapë një dialog që mund të japë rezultate konkrete në të ardhmen.

Në tryezë edhe çështja e Iranit

Përveç armëve bërthamore, liderët pritet të diskutojnë edhe zhvillimet në Iran, një tjetër çështje me rëndësi për sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar.

Një zyrtar i lartë amerikan bëri të ditur gjithashtu se sipërmarrësi Elon Musk pritet të jetë pjesë e delegacionit që do të shoqërojë Trump gjatë vizitës në Kinë, por nuk pritet të marrë pjesë në takimin trepalësh mes tre liderëve.

Megjithatë, deri më tani, Pekini dhe Moska nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen në këtë takim.

Nëse realizohet, takimi Trump-Xi-Putin do të përbëjë një zhvillim të rëndësishëm diplomatik, në një kohë kur marrëdhëniet mes fuqive të mëdha dhe kontrolli i armëve bërthamore mbeten ndër sfidat kryesore të rendit ndërkombëtar.

Top Channel