Inteligjenca Artificiale po bëhet një mjet gjithnjë e më i përdorur për krahasimin e çmimeve dhe gjetjen e ofertave gjatë Black Friday.
Eksperti financiar Andrea Palmas këshillon që teknologjia të përdoret për të marrë vendime më të informuara, pa harruar përgjegjësinë financiare.
Black Friday, që këtë vit shënohet më 27 nëntor, tashmë nuk kufizohet vetëm në një ditë ofertash.
Fushata e uljeve të çmimeve është zgjeruar në një periudhë më të gjatë, duke përfshirë edhe Cyber Monday-n dhe ditët në vijim, si pjesë e sezonit të blerjeve për festat e fundvitit.
Reklamat me premtime për oferta të jashtëzakonshme, ulje çmimesh dhe mundësi që nuk duhen humbur, janë gjithnjë e më të pranishme.
Për konsumatorët, kjo periudhë shoqërohet me një dilemë të vazhdueshme mes dëshirës për të kursyer dhe tundimit për të blerë produkte që paraqiten si oferta të favorshme.
Këtë vit, në ndihmë të konsumatorëve vjen edhe një aleat i ri: Inteligjenca Artificiale (IA).
Mjete si Gemini i Google, ChatGPT i OpenAI dhe Claude i Anthropic, gjithnjë e më shumë po përdoren për kërkimin e produkteve, krahasimin e çmimeve dhe identifikimin e ofertave.
Një nga shqetësimet kryesore të konsumatorëve gjatë Black Friday-t mbetet vërtetësia e uljeve të çmimeve. Të paktën për momentin, Inteligjenca Artificiale shihet kryesisht si një asistent në procesin e blerjes e jo si një vendimmarrës.
Inteligjenca Artificiale dhe teknologjitë e reja e bëjnë më të lehtë kërkimin, krahasimin dhe blerjen. Kjo lehtësi mund të na ndihmojë të zgjedhim më mirë, por njëkohësisht redukton hapësirën kohore mes dëshirës dhe pagesës, kohë që mund të na shërbejë për të vlerësuar një shpenzim.
Sipas ekspertëve, rekomandimet e gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale mund të duken bindëse dhe të përshtatura për nevojat personale, por cilësia e tyre varet nga saktësia e informacionit e konteksti që merret në konsideratë.
Inteligjenca Artificiale të përdoret për të zgjeruar alternativat, për të verifikuar çmimet dhe për të kuptuar më mirë produktet që synojmë të blejmë.
Në një periudhë të dominuar nga ofertat dhe reklamat joshëse, Inteligjenca Artificiale mund të jetë ndihmë e vlefshme për konsumatorët, por vendimi përfundimtar duhet të mbetet i bazuar në nevojat reale e mundësitë financiare të secilit.