Ndërsa për muaj të tërë “Revolucioni Flamingo” u zhvillua në mënyrë paqësore, gjatë muajit tetor protestat morën një tjetër drejtim, me përfshirjen e studentëve dhe përshkallëzimin e situatës. Lëvizja, e cila fillimisht u ngrit për të kërkuar përmirësimin e kushteve në universitete, zgjeroi objektivat e saj pas përplasjeve të 13 tetorit, duke vendosur në qendër të kërkesave edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Studentët kanë deklaruar vazhdimisht se largimi i kreut të qeverisë është një kërkesë e panegociueshme, duke mos pranuar ofertat për dialog të bëra nga mazhoranca. Gjatë tubimeve janë përsëritur thirrje si “Rama jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Studentët kërkojnë revolucion” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.
Krahas protestave në rrugët e Tiranës, studentët kanë vijuar edhe bojkotin e mësimit, ndërsa kësaj lëvizjeje i janë bashkuar pedagogë, prindër dhe qytetarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Megjithatë, në disa universitete procesi mësimor është rikthyer në normalitet.
Në tubimet e fundit, organizatorët kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje sa më të gjerë, duke theksuar se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka vijuar të shprehë gatishmërinë për dialog, por deri më tani kjo ofertë nuk ka ndryshuar qëndrimin e studentëve, të cilët vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij.
