Trump, Putin dhe Xi Jinping drejt një takimi historik në Kinë
Presidenti amerikan Donald Trump, kreu i Kremlinit Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping pritet të ulen së bashku në një takim trepalësh javën e ardhshme në Kinë. Bisedimet parashikohet të zhvillohen në qytetin Shenzhen, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Konfirmimi ka ardhur nga Shtëpia e Bardhë. Zëdhënësja Olivia Wales bëri të ditur se takimi mes tre liderëve do të mbahet në qytetin jugor kinez, ndërsa një prej çështjeve kryesore në agjendë pritet të jetë reduktimi i arsenalit bërthamor në nivel global.
Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar përhapjen e armëve bërthamore si një kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare. Për këtë arsye, çështja e kufizimit të tyre pritet të zërë një vend të rëndësishëm në diskutimet mes tre fuqive.
Një tjetër temë që pritet të trajtohet është Irani, ndërsa situata në Ukrainë, sipas informacionit të bërë publik deri më tani, nuk parashikohet të jetë pjesë e agjendës së takimit.
Pavarësisht njoftimit nga pala amerikane, Moska dhe Pekini nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar për zhvillimin e kësaj tryeze trepalëshe.
Ndërkohë, sipas raportimeve të agjencive ndërkombëtare të lajmeve Associated Press dhe Reuters, një zyrtar i lartë amerikan ka bërë të ditur se nga këto bisedime nuk pritet të dalë një marrëveshje konkrete. Megjithatë, takimi mes Trump, Putin dhe Xi Jinping pritet të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare, për shkak të peshës politike dhe strategjike të tre vendeve në çështjet e sigurisë globale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



