“Isha e zemëruar dhe shumë e vetmuar”/ Vajza e Angelina Jolie dhe Brad Pitt flet për herë të parë për shtrimin në spital: Ishte periudha më e keqe…

14/11/2026 09:54

Vivienne Jolie, vajza 18-vjeçare e aktorëve të famshëm Angelina Jolie dhe Brad Pitt, ka ndarë për herë të parë publikisht vështirësitë e saj me shëndetin mendor dhe betejën me çrregullimin e të ngrënit, duke zbuluar se në fillim të këtij viti ishte shtruar në spital.

Rrëfimin e saj ajo e bëri gjatë një ekspozite arti në Los Angeles, ku prezantoi disa piktura të frymëzuara nga periudha që kaloi në spital. Në prezantimin shoqërues të veprave, Vivienne tregoi se gjatë asaj kohe ishte ndier e zemëruar, e sëmurë dhe shumë e vetmuar.

“Si shumë të tjerë, edhe unë kam pasur vështirësi me shëndetin mendor. Kam luftuar gjithashtu me një çrregullim të të ngrënit. Në fillim të këtij viti u shtrova në spital për këtë arsye. Isha e zemëruar, e sëmurë dhe shumë e vetmuar”, ka rrëfyer vajza e ish-çiftit të njohur.

Megjithatë, 18-vjeçarja tregoi se mirësia dhe ngrohtësia e stafit dhe fëmijëve të tjerë në spital e ndihmuan të kapërcente izolimin emocional.

“Ishte periudha më e keqe dhe më e mirë e jetës sime dhe sot jam më mirë falë saj”, u shpreh Vivienne.

Ajo e ka pagëzuar ekspozitën me emrin “The Tulip Field” (Fusha e Tulipanëve), duke e përdorur këtë emërtim për spitalin ku qëndroi. Në pikturat e saj, pacientët janë paraqitur në formën e tulipanëve, ndërsa veprat pasqyrojnë momente të ndryshme të përjetuara gjatë trajtimit: nga dëshpërimi dhe frika, te siguria, guximi dhe të qeshurat.

18-vjeçarja shpjegoi se titujt e pikturave janë fjali të marra nga ditari personal që mbante gjatë qëndrimit në spital. Përmes artit, ajo ka dashur të ruajë kujtimet e asaj periudhe dhe lidhjet e krijuara me personat që ndanë të njëjtën përvojë.

Rrëfimi i saj vjen në një moment kur emri i Vivienne është rikthyer në vëmendjen e mediave edhe për shkak të vendimit për të hequr ligjërisht mbiemrin e të atit. Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara nga mediat amerikane, një gjykatë në Los Angeles ka miratuar kërkesën e saj për të ndryshuar emrin nga Vivienne Marcheline Jolie-Pitt në Vivienne Marcheline Jolie.

Ajo është fëmija i katërt i çiftit që ka ndërmarrë këtë hap, pas Maddox, Zahara dhe Shiloh. Angelina Jolie dhe Brad Pitt kanë gjashtë fëmijë dhe u martuan në vitin 2014, përpara se të ndaheshin në vitin 2016. Divorci i tyre u finalizua në vitin 2024, pas një procesi të gjatë ligjor.

Top Channel