Tirana do të përjetojë kufizime të qarkullimit këtë të diel, për shkak të zhvillimit të edicionit të 10-të të Maratonës së Tiranës. Disa nga akset kryesore të kryeqytetit do të bllokohen për automjetet, ndërsa trafiku do të devijohet në rrugë alternative.
Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan masash për menaxhimin e qarkullimit gjatë aktivitetit. Sipas këtij plani, nga ora 08:00 deri në orën 16:00 do të jetë e ndaluar lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bulevardin “Zogu i Parë”, “Bulevardin e Ri”, si dhe në disa akse të tjera, përfshirë Rrugën e Durrësit, Rrugën e Kavajës dhe “Myslym Shyrin”.
Për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe për të shmangur bllokimin e trafikut, janë parashikuar edhe drejtime të detyruara në disa kryqëzime të rëndësishme. Kufizime dhe devijime do të ketë pranë Rrugës së Elbasanit, bulevardit “Zhan D’Ark”, Rrugës së Dibrës, rrugës “Hoxha Tahsim”, bulevardit “Zogu i Parë” dhe kryqëzimit të “21 Dhjetorit”.
Ndryshimet do të prekin edhe transportin publik. Bashkia ka njoftuar se disa linja urbane do të pezullohen përkohësisht gjatë ditës së diel, mes tyre linja Selitë-Allias, linja e Porcelanit dhe ajo e Qytetit Studenti.
Ndërkohë, linja të tjera do të vijojnë shërbimin me itinerare të ndryshuara. Këtu përfshihen linjat e Saukut të Vjetër, Kasharit, Kombinatit dhe Kinostudios.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të marrin në konsideratë kufizimet, të planifikojnë paraprakisht lëvizjet dhe të përdorin rrugët alternative gjatë orarit të zhvillimit të maratonës.

