Plagosën 38-vjeçarin në Rrëshen, arrestohet 23-vjeçari, në kërkim vëllai i tij
Policia ka arrestuar një 23-vjeçar në Mirditë, i cili ishte shpallur në kërkim për një ngjarje të ndodhur më 27 tetor 2026 në Rrëshen, ku një 38-vjeçar mbeti i plagosur rëndë pas një konflikti fizik.
I arrestuari është shtetasi A. Gj., 23 vjeç, banues në Ndërfushaz të Rrëshenit. Ndaj tij ishte caktuar më herët nga Gjykata e Lezhës masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim.
Sipas të dhënave nga Policia, 23-vjeçari dyshohet se ka marrë pjesë në sulmin ndaj shtetasit E. Gj., 38 vjeç, së bashku me vëllanë e tij, J. Gj., 31 vjeç. Dyshohet se ata e kanë goditur 38-vjeçarin me mjete të forta, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Pas arrestimit të 23-vjeçarit, policia vijon kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e vëllait të tij 31-vjeçar, i cili dyshohet gjithashtu për përfshirje në ngjarje.
Materialet procedurale për rastin i janë përcjellë Prokurorisë së Lezhës, e cila do të vijojë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të plagosjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



