Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune në Tiranë, në zonën e Xhamllikut.
Lënda plasëse ishte vendosur në katin e parë, në derën e banesës Anjeza Matja, në rrugën “Sadik Petrela”. Nga shpërthimi nuk pati të lënduar në njerëz. Shpërthimi i ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit shkaktoi panik edhe tek banorët e zonës.
Pronarja e banesës është marrë në pyetje nga grupi hetimor, e cila ka deklaruar se nuk ka dijeni se kush mund të jetë autori. 47-vjeçarja ishte e divorcuar prej disa vitesh dhe në banesë jetonte me djalin dhe vajzën.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 14.11.2026, rreth orës 02:50, në rrugën “Sadik Petrela”, ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar lënde plasëse e vendosur në derën e jashtme të apartamentit të shtetases A. M., 47 vjeçe.
Si pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe dokumentimin e plotë të rastit.











Komente
Komento